Opinion nga Gjergj KOLA
E kam fjalën për sportin sepse për të, kryebashkiaku aktual i Shkodrës pak herë ka thënë të vërtetën. Ndoshta i sugjeruar edhe nga të tjerë megjithatë ai nuk duhej të ishte treguar kaq naiv. Tre ditë më parë, në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak, Lorenc Luka e ka pranuar se institucioni që ai drejton dështoi në drejtimin dhe menaxhimin e Vllaznisë. Tre ditë më parë, ai e shprehu hapur dhe qartë se dëshiron ta lëshojë një minutë e më parë postin e presidentit të këtij klubi.
Por 7 muaj më parë, ky njeri kishte menduar ndryshe. Madje edhe shprehur publikisht. Për të mos thënë se kaloi edhe në “kërcënim” ndaj artikullshkruesit. Ka qenë data 7 qershor. Në zyrën e tij, z. Luka firmosi kontratën me trajnerin e ri të Vllaznisë Shpëtim Duron. Ishin prezent edhe shumë figura të njohura të futbollit, drejtues klubi por edhe të tjerë që s’kishin fare lidhje me futbollin por “vegjetojnë” në institucionin që ai drejton. E ndërsa, ne, gazetarët po zhvillonim një konferencë shtypi me trajnerin e sapoemëruar, i drejtuam edhe një pyetje Duros se çfarë premtonte pas një sezoni të dështuar të Vllaznisë me një vend të gjashtë dhe katër trajnerë të ndërruar, në vend që të merrnim një përgjigje nga trajneri, e morëm nga njeriu që kanë zgjedhur shkodranët për t’i drejtuar. Atij “i kishte djegur” fjala “dështim”. Në fakt, atë nuk e kishim thënë vetëm ne gazetarët. E kishte thënë kushdo që e njihte sadopak këtë sport, e kishin pranuar të gjithë specialistët që z. Luka kishte në ato momente në zyrën e tij. Por ai dëshironte të bënte “shoë” duke iu “hakërryer” një gazetari.”Keni mbetë vetëm duke thënë “dështim, dështim”. Sikur nuk dini fjalë tjetër. Ju vetë e dini se kur e morëm klubin dhe me sa borxhe e morëm nga ish-presidenti dhe s’kishim se çfarë të bënim më tepër. Megjithatë do e shihni ju dështimin në sezonin e ri, do e shihni se çfarë do bëjmë ne”. Këtë fjalinë e fundit, e tha madje në formë kërcënimi. Sigurisht, ishim në “shtëpinë e tij” dhe kishte të drejtë të bënte çfarëdo, pavarësisht kundërshtimit tonë për t’i thënë se ishte dështim, në një kohë që gjithë të tjerët, drejtues e specialistë, nuk flisnin asnjë. A thua se nuk ishin këta njerëz që në studio televizive, në gazeta dhe në tavolinë, e pranonin kudo se paraqitja e Vllaznisë në sezonin 2011-12 ishte dështim. Deshëm t’i kundërpërgjigjemi në media, madje fort, kryebashkiakut për këtë “kërcënim”, për këto akuza të kota në adresë të njerëzve të medias, por pasi u konsultuam, vendosëm t’i “japim afat” deri në fund të këtij viti. Jo më tepër. Për të treguar se çfarë kishte ndër mend të bënte ky njeri. Por në fakt, nuk kishte si të mos kundërshtonim, atë dhe disa të tjerë që rrinë pas tij, me atë kur thonë se ish-presidenti Fushaj, i la në borxhe. Në fakt, rrogat e gushtit, periudhë në të cilën ai dha dorëheqjen, sigurisht që do t’i takonin Bashkisë, por harroi të thotë se nga ish-presidenti, në janar të këtij viti, mori plot 150 mijë euro nga shitja e dy futbollistëve, Vajushit dhe Sukajt, dy lojtarëve të promovuar pikërisht nga ai. Megjithatë, më 7 qershor, zoti Luka tha “do ta shihni” Vllazninë. Në fakt, e pamë. Më keq sesa është aktualisht, kishim kohë pa e parë. Sivjet, nuk ka kujt t’ia lërë fajin. S’ka më as Fushaj dhe as të tjerë. Në mungesë të tyre, ka ngritur duart lart. Vendi i tete ne kampionat, deshtim ne kupe qe ne turin e dyte. Vllaznia permendet ne 2-3 ndeshje per dyshime ne trukimin e ndeshjeve. S’ka nevoje per te rreshtuar te tjera gjera. “Dështuam”- tha në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak. Prandaj dhe po nguten ta heqin nga duart Vllazninë, pa e ditur shumë se kujt do t’ia japin dhe me çfarë lehtësirash do t’ia japin. Në kushte të tilla, kryebashkiaku Lorenc Luka, të paktën njëherë ka thënë të vërtetën, pavarësisht se duhej të kishte kërkuar ndjesë edhe për fjalët e thëna në qershor. Vllaznia dhe futbolli nuk kanë nevojë për politikë dhe për politikanë. Kjo është mëse e qartë për të gjithë.