Herald Marku mes fushori i qendrës në ekipin kuqeblu është optimist se Vllaznia do të arrijë t’ia dalë sërish ndaj Partizanit. Pas dy rezultateve pozitive ndaj kësaj skuadre, ajo do të kërkojë të shtunën një tjetër rezultat pozitiv. Mesfushori thotë për “Panorama Sport” se është i bindur se arritja e objektivit europian përmes kampionatit është më se i mundur dhe beson se skuadra ka shumë forca për të bërë të mundur një gjë të tillë.


Pas rezultateve negative, mund të thuhet se Vllaznia do të kthehet te pretendimet për vendin e parë?

Patjetër që ka më tepër optimizëm në këtë drejtim. Gjithmonë ka vend për t’u përmirësuar dhe për të ecur përpara. Mendoj se jemi në rrugën e duhur.


Çfarë nuk shkoi tek ato 9 javë, ku Vllaznia rrezikoi shumë për vazhdimësinë. Mendoni se Vllaznia e kaloi krizën e vet?

Mendoj se edhe ne si të gjitha ekipet kishin momente jo të mira. Një ngërç që na prishi disi punën e ngritur me aq shumë djersë. Mendoj se ne e kaluam atë ngërç.

Dy javë ndërprerje kampionati sa i kanë vlejtur Vllaznisë apo mund të kenë pasur ndikimin e vet, pasi erdhi pas dy rezultateve pozitive radhazi?

Mendoj se na bënë mirë pavarësisht rezultateve pozitive që kishim në dy takimet e fundit. I shijuam këto ditë dhe patëm mundësi të pushonim e përgatisnim njëherësh ndeshjen kundër Partizanit.

Specialistët kanë vënë theksin te një mungesë e përgatitjes fizike. A qëndron kjo apo ishte një krizë momentale?

Kur kalon një ngërç mund të shikohet në aspekte te ndryshme nga specialiste të ndryshëm, por i kemi lënë pas ato momente.

Këtë fundjavë ndaj Partizanit, a pritet që sërish të vijoni me një tjetër fitore apo e rëndësishme është të mos humbet kjo ndeshje?

Do jetë një ndeshje e luftuar. Synimi ynë gjithmonë është fitorja. Do të futemi në fushë të bëjmë më të mirën. Kam besim se edhe do të marrim më të mirën.

A mund të quhet një ndeshje vendimtare për ju ajo ndaj Partizanit për vazhdimësinë?

Çdo ndeshje ka shumë rëndësi sepse pikët janë po ato që merren kundër çdo kundërshtari. Është ndeshje e rëndësishme dhe duam ta kalojmë me sukses.

A mund të rrezikoni edhe Europën përmes kampionatit, nëse nuk do të ruani vazhdimësinë e fitores ndaj Kastriotit?

Nuk e besoj sepse ka akoma ndeshje, por ishte një pikë kthese fitorja ndaj Kastriotit pas atyre javëve negative që kishim.


Mos tani keni presion ju pas licencimit, apo kjo do t’ju motivojë më shumë?

Jo. Na erdhi mirë, pasi morëm vesh lajmin për sa i përket licencimit të klubit për në Europë. Kjo gjë na motivon më tepër për të arritur objektivin.