Herald Marku shpërtheu në se zonin e tij të dytë me fanellën e Vllaznisë, duke qenë një prej lojtarëve stabël të formacionit kuqeblu. Mesfushori arriti të shënonte edhe 4 gola, teksa e ndihmoi shumë skuadrën në fitore mjaft të rëndësishme gjatë kampionatit.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Marku flet për suksesin në sezonin që sapo u mbyll, si dhe sekretin e Vllaznisë. Kontrata e tij me shkodranët ka skaduar, por drejtuesit i kanë ofruar rinovimin. Titullari i kuqebluve ende nuk ka vendosur për të ardhmen, por gjithçka do të varet nga bisedimet me sponsorin Alban Xhaferi.


Herald, fituat Kupën e Shqipërisë dhe humbët titullin vetëm prej golavarazhit. Si do ta përkufizonit këtë sezon?

Do ta cilësoja një sezon fantastik, që na u shpërblye me një kupë. Jam shumë i kënaqur për atë që kemi bërë si ekip, pasi luftuam deri në fund dhe nuk u dorëzuam për asnjë moment. E kishit menduar në fillimin e sezonit se mund të shkonit kaq mirë? Po, sepse u organizuam shumë për këtë lloj arritjeje dhe gjërat shkuan në mënyrën më të mirë. Rëndësi ka që objektivat u realizuan.


Cili ka qenë momenti që u bindët se do të luftonit deri në fund për të dy trofetë?

Personalisht kam qenë i bindur që në fillim të sezonit, por këtë e kam shtuar edhe më shumë në ndeshje të caktuara që ne i kemi fituar në momente delikate. Por, gjithashtu, jam bindur që edhe kur jemi mundur, nuk jemi dorëzuar. Kjo na ka dhënë edhe më tepër besim.

Sekreti ynë ishte forca e grupit. Mendoj se kjo ishte arma më e rëndësishme e ekipit, që na ndihmoi të kalonim çdo sfidë të gjithë bashkë.


Po pengu më i madh nga ky sezon?

Pengu më i madh, sigurisht është humbja e kampionatit prej golavarazhit dhe jo me pikë. Gjithsesi, urime Teutës për titullin. Të vjen keq që ndodhi kështu, por bukuria e futbollit këtu qëndron. Unë jam krenar për ekipin dhe arritjet që bëmë.

Cila mendoni se ishte rivalja më e fortë për ju këtë kampionat?

Nuk bëj dot diferencime, sepse ka qenë një rivalitet shumë i fortë. Ekipet që luftuan për titullin dhe Europën, të gjitha kanë qenë të vështira.


Fitorja me Partizanin nuk vlejti, ju kanë ngacmuar nga kampi i kuq pas asaj ndeshjeje?

Nuk kemi pasur ngacmime, pasi kemi qenë në garë për titull. Megjithatë, fitorja gjithmonë vlen. Në çdo ndeshje kërkojmë fitoren dhe mendojmë vetëm për ekipin tonë.


Cila do të jetë e ardhmja juaj, do të rinovoni apo mund të largoheni?

Të them të drejtën, të ardhmen akoma nuk e kam vendosur. Jam në bisedime.