Vllaznia dhe Partizani përplasen të dielën në duelin kryefjalë të javës së 21-të të Kategorisë Superiore. Të shumtë janë lojtarët, që kanë provuar të luajnë e të dhurojnë emocione me të dyja këto fanella.
Një ndër tyre është Herald Marku “asi” i mesfushës, që aktualisht është pjesë e UTA Arad në ligën kryesore të Rumanisë. Në një intervistë për “Panorama Sport” 27-vjeçari analizon supersfidën e javës, ku sheh Vllazninë disi më të avantazhuar prej formës së mirë të javëve të fundit. Ai kujton edhe kohët me të dy ekipet.
“Nuk kam asnjë dyshim se do të jetë një përballje me emocione dhe shumë luftë sportive, mes dy prej ekipeve më të forta të kampionatit. Duke marrë shkas nga situatat që po kalojnë aktualisht ekipet, mendoj se Vllaznia është në një moment më të mirë dhe e shoh disi më të avantazhuar. Partizani nuk do ta ketë të lehtë.
Ndeshje të tilla mes ekipesh me emër dhe të forta, në shumicën e rasteve zgjidhen nga lojtarë, që bëjnë diferencën. Të dyja ekipeve këto elemente nuk u mungojnë. Te Vllaznia do të veçoja Balajn, Malën, Çobën dhe Grudën, ndërsa te Partizani pres që të zgjidhin situatat lojtarë si Cara, Rrapaj apo Skuka”- eshte shprehur lojtari qe ka provuar te luaje me te dy skuadrat gjate karrieres se tij.