I ftuar në rubrikën e Star Sport mbrëmë ka qenë edhe Herion Faslija. Tashmë një ish-basketbollist ku deklaroi tërheqjen nga sporti para pak ditësh. Shtatlarti tregoi se ishin vite që kaluan shumë shpejt. E ndërsa u ndal edhe tek kriza e sportit të koshit, por edhe projektet e tij të së ardhmes.

Faslija tha: “Ka disa ditë që kam deklaruar tërheqjen tashmë nga sporti i luajtur. Kam marrë shumë mesazhe ndaj të cilëve jam falenderues dhe ndoshta kam marrë vlerësime aty ku nuk i mendoja. Kanë qenë plot 21 vite karrierë aktive në sport. Një periudhë shumë e gjatë, por që tani më duket se ka kaluar shumë shpejt.

Gjithsesi unë nuk do jem asnjëherë larg sportit të basketbollit. Pasi me ish-kapitenin e Vllaznisë, Ervin Berdica prej disa kohësh po merremi me një projekt privat. Kjo për të afruar të rinjtë tek sporti, e jo vetëm për ti mësuar sport e konkretisht basketboll, por edhe për ti disiplinuar dhe edukuar.

Kriza e Vllaznisë? Nuk dua të ndalem kaq ngushtë, por në mbarë vendin. Është një situatë negative prej vitesh e prandaj tashmë kemi mbërritur këtu ku jemi. Di të them një shifër se 43 lojtarë të huaj kanë ardhur tek Vllaznia në dy vite.

E kjo tregon se nuk ka më basketbollistë të rinj tek kombëtarja. Një situatë që ka agravuar prej vitesh e duhet një projekt afatgjatë që të kthehet në rrugën e duhur”.
Endri ÇINARI