Për Ferran Torres ndeshja kundër Betisit ishte e veçantë, pasi përkonte me aktivizimin e tij të 100-të me fanellën e Barcelonës. Dhe “peshkaqeni” e ka festuar si mos më mirë këtë ndeshje jubilare. Ai ka qenë promotori i fitores së Barçës 2-4, duke shënuar tri nga 4 golat e suksesit në Sevilje. “Unë dua të shijoj trigolëshin në ndeshjen time të 100-të me Barcelonën.

Nuk mund të kërkoj asgjë më shumë se kaq, tre gola dhe fitore për ekipin. E gjitha kjo është fryt i punës, disiplinës, këmbënguljes, besimit në vete dhe shfrytëzimit të mundësive. Isha i bindur se do të më jepej mundësia dhe e kam shfrytëzuar”, tha ai. Më pas sulmuesi i Barçës ka shtuar:

“Është e qartë, kjo është Barça, është një nga klubet më të mëdha në botë, kërkesat janë maksimale dhe duhet të jesh i përgatitur për çdo gjë. Jo gjithçka është e bukur, ka shumë kritika, je në qendër të vëmendjes së mediave dhe duhet të jesh i përgatitur”.

Më pas ai ka analizuar suksesin ndaj Betisit, një fushë ku pakkush ka guxuar të marrë pikë në këtë sezon. “Ishte një ndeshje e vështirë dhe e madhe nga ana jonë. Po luanim me Betisin, në fushën e tyre. E dinim se ata do të shtynin dhe do të kishin shanset e tyre. Ata kthyen dy golat tanë, por ne gjetëm forcën e duhur për të shënuar sërish dhe marrë tre pikët”, tha Ferran Torres.