Aldo Teqja ishte heroi i Flamurtarit në ndeshjen me Apoloninë, duke pritur dy penallti dhe në fund shënoi 11-metrërshin vendimtar. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” pas ndeshjes, “gardiani” i vlonjatëve rrëfen emocionet dhe sekretin e penalltive, duke i besuar shumë intuitës gjatë atyre momenteve.
Ai shpreson që t’ia dalin edhe me Laçin, për ta rikthyer Flamurtarin në Superiore, aty ku mungon prej disa vitesh.
Aldo, cilat janë emocionet pas kësaj fitoreje dramatike?
Në fakt, patëm pak vështirësi pas daljes me të kuqe të Frashërit, ku u tërhoqëm pak në mbrojtje. Apolonia ka ekip të fortë dhe të fizikshëm, por ne u munduam dhe bëmë maksimumin duke e dërguar ndeshjen me shtesa. Emocionet më pas ishin të dyfishta, sepse edhe shënova gol.
I kishit studiuar më parë lojtarët e Apolonisë te penalltitë?
Jo, jo, nuk i kisha studiuar. Me paramendim, duke i parë lëvizjet, duke i parë në sy dhe arrita t’i pres më pas.
Pse e gjuajtët ju penalltinë e fundit. E kujt ishte zgjedhja?
Ishte zgjedhja e trajnerit. E kemi provuar edhe në stërvitje këto ditët e fundit edhe e vendosëm që ta gjuaja unë penalltinë e fundit.
Tani luani me Laçin, si e prisni?
Do të jetë një ndeshje e fortë, ku luajmë në një fushë kundërshtare. Fusha është e mirë atje dhe Laçi luan futboll të bukur. Ne do të shkojmë për maksimumin, nuk kemi çfarë humbim.
Keni besim se vitin tjetër Flamurtari do të jetë në Superiore?
Dëshira është e madhe, kuptohet. Me kismet, të shohim tani.