Federata Shqiptare e Basketbollit më në fund ka marrë vendimin se kur do të nisin kampionatet kombëtare të këtij sezoni. Ato do të startojnë fundjavën e ardhshme kur do të luhen dhe ndeshjet e javës së parë. Ndërkohë, ditën e djeshme në ambjentet e Federatës është hedhur edhe shorti i ndeshjeve të këtyre kampionateve.

Por sakaq, Federata nuk ka sqaruar ende se cila do të jetë skuadra e gjashtë që do të luajë në Grupin A për femra, pasi ende nuk ka një variant zyrtar nga ajo se cila skuadër do të zëvendësojë Goga Basket, e tërhequr.

Ideja është ajo e zhvillimit të një mini-turneu mes ekipeve të Grupit B, për të caktuar skuadrën që do të luajë mes më të mirave. Te meshkujt mësohet se do të jenë 12 skuadrat që do të nisin sezonin e ri sportiv 2018-2019, gjashtë prej të cilave do të luajnë në Superligë dhe gjashtë në Kategorinë e Parë.

Gjashtë do të jenë edhe skuadrat e Grupit A pë femra, ndërsa në Grupin B ky numër është më i vogël, 4 të tilla. Të pranishëm në hedhjen e shortit përfaqësues nga disa prej klubeve, që kanë ndjekur nga afër procedurën dhe kanë marrë informacionin e duhur nga drejtuesit e Federatës.

Ekipet e Sportklub Vllaznia sipas shortit të hedhur, javën e parë do t’i luajnë ndeshjet e tyre në Shkodër. Meshkujt që sivjet do të drejtohen nga dyshja Berdica- Taraboshi, do të luajnë në javën e parë ndaj ekipit të sapongjitur në Superligë, Goga Basket.

Në pamje të parë duket një ndeshje e lehtë por nuk do të jetë kështu pasi Goga pritet të jetë surpriza e këtij sezoni. Ajo ka marrë në rradhët e saj disa lojtarë cilësorë, madje edhe të huaj, sepse ka pretendime serioze.

Ndërkohë, ekipi i femrave të Vllaznisë që këtë sezon do të drejtohen nga Bledar Gjeçaj, ndeshjen e parë do ta luajë në “Qazim Dervishi” ndaj Studentit. Pretendimet e të dy ekipeve shkodrane për këtë sezon, janë për të qenë në mes katër ekipeve më të mira të vendit.
www.shkodrasport.com