Ashtu sikurse ishte njoftuar, Federata Shqiptare e Volejbollit ka hedhur paraditen e djeshme shortin e sezonin 2021-2022. Ceremonia u zhvillua në sallën “Feti Borova” në Tiranë, e drejtuar nga krerët e FSHVsë, presidenti Erlind Pëllumbi dhe sekretari i përgjithshëm Albens Vokopola, me prani të përfaqësuesve të klubeve.
Këtë sezon,siç dihet, kampionatet vijnë në formatin e Superligës për meshkuj dhe femra. Në fillim u hodh shorti i meshkujve, teksa java e parë ofroi këto përballje: Vllaznia-Elbasani, ErzeniSkënderbeu, Farka-Studenti dhe Teuta-Partizani, ndërsa Tirana do të qëndrojë pushim.
Ndërkohë, Superliga e femrave dhuroi këto sfida në debutim: Lushnja-Tirana, Apolonia-Skënderbeu, PartizaniFlamurtari dhe Vllaznia-Barleti. Për sa i përket Kategorisë së parë për femra, në javën e parë do të kemi këto sfida: Elbasani-Teuta, Club AlbaniaMirdita, ndërsa Korabi qëndron pushim.
FSHV-ja konfirmoi se sezoni pritet ta ngrejë siparin në javën e parë të tetorit. Ndërkohë, në bazë të renditjes së fazës së parë do të përcaktohet edhe kalendari i Kupës së Shqipërisë. Përveç shortit në mbledhjen e djeshme, FSHV-ja iu dha, gjithashtu, edhe disa njoftime shumë të rëndësishme anëtarëve. Kështu, të gjitha klubet shumësportëshe duhet patjetër plotësojnë procedurat për t’u kthyer në shoqata, ndërsa duhet të paraqesin në federatë dokumentacionin e aplikimit.
Po ashtu, federata ka bërë të ditur se do të vijohet me statistikat, ndërsa mangësitë me numrin e personave të trajnuar për statistikat do të bëjnë që kampionatet të shtrihen gjatë të gjithë fundjavës (të premten, të shtunën dhe të dielën).
Gjithashtu, do të ketë “live stream” për ndeshjet e Superligës, si dhe një organizim të detajuar të takimeve, ashtu sikurse bëhet në ndeshjet ndërkombëtare. Ndërkohë, një pikë tjetër shumë e rëndësishme, për të cilën FSHV-ja vuri në dijeni klubet janë edhe masat anti-COVID.
Përveç të gjitha protokolleve ekzistuese, me ndeshjet që duhet të zhvillohen me 30% të kapacitetit të sallave për publikun, drejtuesit e federatës deklaruan se me shumë mundësi do t’iu kërkohet vaksinim i detyrueshëm për të gjithë sportistët.