Federata Shqiptare e Futbollit mesditën e së mërkurës ka hedhur në një nga ambjentet e saj shortin e kategorisë së parë për sezonin e ri futbollistik. Në këtë kampionat siç dihet, për herë të parë do të marrë pjesë edhe ekipi i dytë i klubit Vllaznia, pikërisht ekipi B që do të drejtohet sërish nga trajneri Ervis Kraja.

Edhe në sezonin e ri, 20 ekipet pjesmarrëse në këtë kategori, janë të ndara në dy grupe me nga 10 secili. Vllaznia B merr pjesë në grupin e Veriut përkrah ekipeve të tjera si Besëlidhja, Tërbuni, Besa, Dinamo, Burreli, Egnatia, Erzeni, Kastrioti dhe Korabi. Goglat e hedhura sot kanë përcaktuar edhe sfidat e javës së parë, në të cilën ekipi shkodran do të udhëtojë drejt Rrogozhinës për t’u ndeshur me Egnatian vendase. Kujtojmë se këto dy ekipe kanë qenë rivale të njëra-tjetrës edhe në sezonin e kaluar kur ishin pjesë e kategorisë së dytë dhe në përfundim të garës, fituan të drejtën për t’u ngjitur një kategori më lart. Natyrisht që Vllaznia B nuk do të luftojë për t’u ngjitur në Superligë sepse sipas rregullores kjo gjë nuk lejohet, por objektivi i saj është për të qenë në mes pesë ekipeve të para. Skuadra ka ardhur duke u plotësuar me lojtarë dhe ditët e fundit në stërvitje me të janë bashkuar edhe futbollistët Arenc Dibra e Bekim Erkoçeviq dhe madje mund të kenë edhe të tjerë që do të vijnë në vazhdim. Trajneri Kraja dhe drejtuesit e klubit e kanë të qartë objektivin që ka ky ekip dhe për këtë arsye, do të tentojnë të jenë surpriza e kësaj kategorie. Megjithatë gara do të jetë e fortë. Ekipe si Kastrioti, Besa, Egnatia, Erzeni e Besëlidhja, kanë pretendimet e veta për t’u ngjitur në Superligë dhe për këtë arsye, do ta shohin Vllaznin B si një kundërshtar jo të lehtë për t’u kaluar.

Ja shorti i fazes se pare:

Java 1: Egnatia- Vllaznia B

Java 2: Terbuni- Vllaznia B

Java 3: Vllaznia B- Kastrioti

Java 4: Korabi- Vllaznia B

Java 5: Vllaznia B- Dinamo

Java 6: Beselidhja- Vllaznia B

Java 7: Vllaznia B- Besa

Java 8: Erzeni- Vllaznia B

Java 9: Vllaznia B- Burreli

© shkodrasport.com