Është hedhur paraditen e sotme shorti i Ligës Ballkanike të Basketbollit për meshkuj 2016-2017, turneu rajonal i sportit të koshit, ku këtë sezon do të marrë pjesë edhe Tirana. Në këtë fazë të parë, 12 ekipet e konfirmuara, janë ndarë në dy grupe me nga 6 skuadra secila. Ndërkohë që BIBL do të marrë së shpejti një vendim edhe për ekipin e BC Levski 2014, nëse do të marrë pjesë apo jo, pasi ka vështirësi financiare. Për sa i përket shortit, Tirana është pozicionuar në Grupin B, ku janë edhe ekipet kosovare të Pejës e Trepçës, maqedonasit e Karpos Sokoli dhe Feni Industries si dhe malazezët e Sutjeskës.
Ekipi kryeqytetas në këtë mënyrë do të përfaqësojë Shqipërinë në këtë eveniment të rëndësishëm ku për herë të parë debutoi Vllaznia dy vjet më parë. Një sezon më pas, ajo nuk mundi të marrë dot pjesë sërish sepse nuk kishte financat e duhura ndërkohë që kishte shpresa për pjesmarrje në sezonin e ri por kjo nuk u bë sërish e mundur. Atë që se bëri Vllaznia, e bëri Tirana. Natyrisht që pjesmarrja e kësaj të fundit tregon se ajo edhe në sezonin e ri të basketbollit shqiptar do të hyjë me objektiva të qarta për t’i rrëmbyer titullin kampion ekipit shkodran që ende nuk ka lëvizur në merkato, madje disa nga basketbollistët e saj kanë marrë oferta edhe nga ekipet e tjera dhe nuk përjashtohet mundësia që të largohen.
© shkodrasport.com