MFC Panthers Shkodra arriti të kualifikohej në raundin e dytë të FSHF Cup në futbollin 9X9, pasi mundën në ndeshjen e parë ekipin e Futura me rezultatin e thellë 0-5. Tashmë, është hedhur shorti për ndeshjen e rradhës dhe MFC Panthers Shkodra ka mësuar kundërshtarin për raundin e dytë.

Në këtë raund, shkodranët do të përballen me ekipin e “Friends Team”. Kjo ndeshje, ashtu si edhe të gjithë përballjet e tjera, do të luhen në kryeqytet. Ashtu si edhe në kampionat, edhe në FSHF Cup, MFC Panthers Shkodra synon që të jetë pretendent për fitimin e këtij trofeu dhe starti ka qenë i mbarë.

Në këtë mënyrë për të qenë të tillë, drejtuesit e këtij ekipi kanë menduar të kenë në rradhët e tyre edhe ish-futbollistë të njohur. Në përbërje të ekipit MFC Panthers Shkodra, bëjnë pjesë emra të njohur të futbollit shkodran dhe atij shqiptar.

Kështu, për të përmendur disa emra, të cilët kanë spikatur vitet e fundit në futbollin e kalçetos, janë Fatos Behari, Fatjon Nutaj, Besford Gjoklaj, Brendon Smajli, Admir Teli, Oltion Drabeja, Semir Gogaj, Admir Mehja, Valdano Nimani, Albert Mila, Hamdi Salihi, Redi Osmanaga apo edhe presidenti i ekipit të MFC Panthers Shkodra, Ergi Axhani, shto këtu edhe trajnerin me përvojë, pikërisht babain e Ergit, Fatmir Axhanin.
Maringlen ZHIVANI