U hodh sot në mjediset e FSHF-së shorti i gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë, teksa goglat e tërhequra nga vetë përfaqësuesit e klubeve zbardhën edhe dy përballjet përkatëse. Kukësi do të sfidojë Laçin, në njëlloj derbi të veriut, ndërsa Skënderbeu do të vihet përballë Bylisit. Verilindorët dhe korçarët do t’i luajnë ndeshjet e para të këtij raundi në fushat e tyre, ndërsa ato të kthimit në transfertë. Raundi gjysmëfinal i këtij kompeticioni kombëtar do të luhet me ndeshje vajtje-ardhje, në datat 3 dhe 17 prill. Skënderbeu ka qenë katër herë finalist i Kupës së Shqipërisë: Në vitin 1958, kur ka luajtur ndaj Partizanit, në sezonet 1964-1965, kur është mundur nga Vllaznia, 1975-1976, kur është mundur nga Tirana, dhe sezonin e shkuar, kur u mund nga Tirana. Pra, nuk e ka fituar këtë kompeticion asnjë herë. Ashtu si skuadrat e tjera gjysmëfinaliste, Laçi, Bylis dhe Kukësi, që nuk kanë shijuar deri më tani asnjë finale. Dy skuadrat rekordmene, që e kanë fituar më shumë se askush tjetër, nga 15 herë Kupën e Shqipërisë janë Tirana dhe Partizani, pas tyre vjen Dinamo me një trofe të tillë më pak. Në palmaresin e këtij kompeticioni e kanë shënuar emrin edhe skuadrat e rretheve: Vllaznia 6 herë; Flamurtari dhe Teuta nga 3 herë, Besa dhe Elbasani nga 2 herë, ndërsa Apolonia e Fierit 1 herë. Ky është edicioni i 60-të i Kupës së Shqipërisë, ndërkohë që vitin e shkuar në finale u ndesh Tirana me Skënderbeun, ku bardheblutë fituan me golin e Bekim Balës, shënuar në minutën e 107-të, pasi u desh të akordohej koha shtesë, ngaqë 90 minutat e rregullta përfunduan në barazim të bardhë. Mbase kete sezon mund te kemi edhe nje skuader si Kukesi fituese e ketij trofeu dhe sigurisht qe e meriton sepse puna e bere nga trajneri Cungu dhe futbollistet, ka qene vertete per t’u marre shembull.

www.shkodraspot.com