Edicioni i 39-të i trofeut “Santiago Bernabeu” ka vënë përballë Real Madrid dhe Milan, me dy ekipet që e kanë mposhtur nga dy herë njëra-tjetrën në këtë veprimtari.
Këtë herë suksesi ka qenë për të besuarit e Julien Lopetegui, që morën trofeun pasi fituan 3-1, në një sfidë ku kryesisht gjithçka ndodhi në pjesën e parë.
Karim Benzema ka kaluar në avantazh Real Madrid, pas vetëm dy minutash lojë, por dy minuta më vonë Milan ka vënë baraspeshën me golin e parë të shënuar nga Gonzalo Higuain, në ndeshjen e tij të parë me fanellën kuqezi.
Në aksioni e fundit të pjesës së parë, gjatë zhvillimeve të një goditje nga këndi, Gareth Bale shënoi golin e dytë për “Los Blancos”.
Në pjesën e dytë loja ishte e barabartë dhe me ritëm, trajnerët i aktivizuan të gjithë futbollistët që patën në dispozicion, por rezultati ndryshoi vetëm në fund.
Në minutën e fundit, Borja Mayoral Moya, i aktivizuar në pjesën e dytë, shënoi golin e tretë prë Real, me portën e boshatisur, pasi më parë Donnarumma kishte pritur tentativën e Modric.