Të jesh pjesë e Vllaznisë padyshim që është përgjegjësi e madhe. Skuadra shkodrane këtë sezon është me meritë në vendin e parë të Kategorisë Superiore. Trajneri Thomas Brdariç me apo pa dëshirën e të gjithëve ka bërë një punë fantastike me kuqeblutë. Me mbështetjen e plotë të sponsorit Alban Xhaferi dhe drejtorit sportiv, Matko Djarmati, kroati ka surprizuar gjithë opinionin sportiv.
Askush s’e shihte Vllazninë si pretendente dhe nuk e kishte parashikuar këtë gjendje të mrekullueshme të skuadrës shkodrane. Edicioni futbollistik nisi mjaft mirë për 9 herë kampionët e vendit të cilët morën “mbarë” çdo kundërshtar duke i treguar forcën e vërtetë të tyre. “Oreksi vjen duke ngrënë”, është një shprehje e urtë dhe në fakt kështu ndodhi edhe në Shkodër.
Megjithëse në kampin e Vllaznisë si stafi teknik ashtu edhe lojtarët janë të vetdijshëm për potencialin e tyre, tifozët shkuan larg dhe e shpallën ekipin kampion deri në fund të fazës së dytë. Por, për të qëndruar me këmbë në tokë fillimisht duhet parë buxheti i këtij klubi që është krijuar me një projekt afatgjatë.
Ndryshe nga klubet kryeqytetase apo edhe Kukësi me Teutën, që këtë vit kanë një buxhet prej 1 milionë eurosh, në Shkodër kanë besuar te aftësitë e futbollistëve vendas. 7 ndeshje pa fituar kanë krijuar një atmosferë jo fort të mirë në ekip, por edhe në qytetin verior.
Shumë aludime rreth trajnerit, por askush nuk arrin të shohë siç duhet tabelën e klasifikimit. Vllaznia në vend të parë qëndron sërish, që me Kukësin luajti mirë dhe Dashamir Xhika ishte ai që i mohoi fitoren duke pritur penalltinë.
Pra, Vllaznia është aty, pavarësisht të disa fjalëve që me një synim ose tjetër arrijnë të trazojnë disi situatën pozitive te kuqeblutë. Shkodranët mbajnë flamurin në Kategorinë Superiore në vendin e parë me 42 pikë, pas 23 javësh të luajtura në elitën e futbollit shqiptar./newsport/