Ka patur shumë diskutime në atë periudhë, por në fund shumica kanë qenë të mendimit se kjo 11-she vërtetë ka qenë më e mira e historisë 90 vjeçare të Klubit të Futbollit Vllaznia.
Anketimi i gazetës “Vllaznimi Sportiv” në atë kohë ka qenë një gjetje. Një pjesë e konsiderueshme e futbollistëve që kanë veshur fanellën kuqeblu në vite, kanë votuar për formacionin më të mirë në vite.
Në fund, janë mbledhur pikët dhe ka dalë 11-shja në fjalë. E bujshme gjithsesi. Ajo nis me legjendën e portës Paulin Ndojën, për të vazhduar me Hysen Zmijanin, Muhamet Dibrën, Ramazan Rragamin dhe Fatbardh Jerën.
Në mesfushë ishin ndërkohë emra po kaq të mëdhenj si Sabah Bizi, Ferid Rragami e Luan Vukatana, ndërsa sulmi kishte legjendat Loro Boriçi, Medin Zhega e Vioresin Sinani.
Sakaq, trajneri më i mirë në 90 vite ka rezultuar Xhevdet Shaqiri, ai që ka fituar më shumë trofe se kushdo tjetër në historinë e këtij klubi.
A do të ketë një anketë tjetër për 100 vjetor? Ndoshta edhe po. Shumë prej këtyre emrave duhet të jenë sërish prezent edhe nëse bëhet anketë tjetër sepse ato kanë shkruar historinë e kësaj skuadre.
© shkodrasport.com