Skuadra velipojake këto vitet e fundit nuk po kalon momente të mira. Luan në kategorinë e dytë prej dy sezonesh dhe duket se nuk ka në terezi për t’u rikthyer sërish në të parën, aty ku ka qenë gjithmonë, edhe në fund të këtij sezoni. Por të mos harrojmë se kjo skuadër ka shkruar jo pak histori gjatë 22 viteve të ekzistencës së saj.

Atë e kanë drejtuar emra të mëdhenj si Ramazan Rragami, Esat Rakiqi, Menduh Dedja, Fatmir Paçrami etj. Por me të kanë luajtur edhe lojtarë të cilët kanë bërë karrierë më pas edhe në ekipe të Superligës. Por sakaq, Ada ka shkruar emrin e saj edhe me fitoret që ka arritur në periudha të ndryshme si ajo 5-0 ndaj Partizanit, apo dhe eliminimi në Kupë i Dinamos.

Kjo e fundit ka ndodhur në shtator të vitit 2004. Luheshin ndeshjet e Kupës së Shqipërisë dhe shorti i kishte përballur sëbashku këto dy skuadra. Në Velipojë në ndeshjen e parë do të fitonte 2-1 Ada me golat e Pepës dhe Nikës ndërkohë që për blutë golin e vetëm do ta shënonte Stafa.

Pas asaj ndeshje, trajneri i njohur i Dinamos së asaj kohe Faruk Sejdini do të deklaronte në media se: “Me Adën nuk fitonte as Reali”. E kishte gjoja fjalën për dhunë të ushtruar ndaj ekipit të tij në Velipojë.

Por dy javë më pas, brenda në Tiranë do të ndodhte “katastrofa” për ekipin e tij . Goli i Xhihanit do të barazohej nga Etrit Nika që shënoi një gol të shkëlqyer nga një goditje dënimi në minutën e 40-të.

Dhe ndoënse Dinamo kishte në dispozicion më shumë se 50 minuta, nuk do kishte gol tjetër. Dhe të mos harrojmë se me blutë në atë periudhë luanin edhe emra të tillë si Lika, Gallo, Pisha, Poçi, Alikaj, Halili, Tiko, Xhihani, apo dhe disa të huaj.

Por Ada me Dervishin, Hasanin, Isufin, Arën, Çokajn, Pepën, Kullën, Kurtin, Borin, Nikën, Nasjen, Metën e Ndocin, me trajner presidentin Alfred Pjetri në atë ndeshje, do të bënin mrekullinë.
© shkodrasport.com