Historia e tij është vërtetë interesante. Ai është vetëm 26 vjeç por deri më tani përveçse në Shqipëri, ka luajtur edhe në gjashtë shtete të tjera, në Europë e Azi. E kemi fjalën për sulmuesin shkodran Ndue Mujeci.
Karrierën e ka nisur tek Vllaznia, më pas ka luajtur tek Ada para se të merrte një rrugëtim nëpër botë, rrugëtim që vazhdon ende edhe sot. E nisi atë duke luajtur për disa muaj në Kosovë tek ekipi i Trepçes, më pas ka kaluar në Letoni duke luajtur me Ventspils, për të vijuar në Bullgari tek Pirin Blagoevgrad fillimisht e më pas tek Dunav Ruse, për të vijuar në Gjeorgji me Saburtalo.
Ka luajtur para dy sezonesh në Qipron turke me Genclik Gucu, ka kaluar në Hong Kong me Happy Valley dhe tashmë po luan sërish në Qipron turke me Cihangir GSK.
Ai vërtetë ka luajtur në kaq shumë shtete dhe kaq shumë skuadra, por në disa prej tyre edhe ka qenë i suksesshëm. Në Letoni më ekipin Ventsipls ai është shpallur kampion në sezonin 2014-2014 duke shënuar 12 gola në atë sezon për këtë ekip.
Ndërkohë një sezon më parë, pra në 2018-2019, Mujeci ka luajtur në Hong Kongun e largët dhe me ekipin Happy Valley është shpallur kampion në divizionin e parë dhe përpos këtij trofeu, ka marrë edhe një të dytë në aspektin personal. Me 30 golat e shënuar ai ka fituar “Këpucën e Artë” të këtij kampionati.
Sivjet sakaq, sulmuesi shkodran është bërë pjesë e ekipit Cihangir GSK që merr pjesë në Superligën e Qipros turke. Ditën e djeshme janë luajtur ndeshjet e javës së 12-të të kampionatit dhe skuadra e Mujecit ka fituar 7-2 ndaj Duzkaya KOSK dhe vetë ai do të ishte protagonist me dy gola të shënuar.
Me to, ai është ngjitur në kuotën e 8 golave dhe sigurisht që do të pretendojë deri në fund të jetë në mes shënuesve më të mirë të kampionatit dhe pse jo, të fitojë sërish “Këpucën e Artë”. Megjithatë për momentin objektivi kryesor i gjithë skuadrës është fitimi i titullit kampion këtë sezon.
Me fitoren e djeshme, Cihangir GSK është ngjitur në vendin e parë në renditje me 27 pikë dhe synimi është për të mos e lëshuar më atë. Mujeci ka folur shkurt në lidhje me ecurinë e skuadrës dhe të tijën personale dhe për “Shkodra Sport” është shprehur:
“Gjërat po shkojnë mirë, kam shënuar 8 gola deri tani dhe drejtuesit e skuadrës janë të kënaqur me mua. Për momentin nuk e kam synim trofeun e golashënuesit më të mirë sepse të gjithë jemi të fokusuar tek rezultatet e ekipit. Presidenti po i qëndron shumë afër ekipit dhe ka shumë ambicje për t’u shpallur me çdo kusht kampion këtë sezon”.
Nëse ndodh kështu, patjetër që do të ishte diçka shumë e bukur për shkodranin “shëtitës” por edhe “të suksesshëm” sepse pas titullit kampion në Letoni e Hong Kong, ku do të ishte i treti për të në tre vende të ndryshme.
© shkodrasport.com