Për dy vjet me rradhë ka qenë president i Klubit të Futbollit Vllaznia dhe gjatë asaj periudhe është munduar të japë më të mirën për kuqeblutë. Azem Hajdari ka qenë numri 1 i klubit në vitet 1996-98, madje edhe kur kjo skuadër u shpall kampion në sezonin 1997-98 zyrtarisht me letra ka qenë ai president, pavarësisht se ka qenë Myftar Çela ai që financonte ekipin.

E ka dorëzuar këtë post 20 vjet më parë, vetëm pak kohë para se ta vrisnin, megjithatë të gjithë shkodranët e mbajnë mend për pasionin me të cilin iu përkushtua Vllaznisë. Ishte tropojan por në Shkodër ndihej gjithnjë mirë. E thotë edhe në video e mëposhtme: “Në Shkodër jam ndjerë gjithmonë si nipi tek daja”.

Ka hyrë edhe ai në historinë tashmë gati 100 vjeçare të këtij klubi, madje si presidenti i parë pas ardhjes së demokracisë në vendin tonë. Ai e ka quajtur një privilegj të madh të qënurit në këtë post.

“Historia e Vllaznisë është ndër më të mirat në futbollin shqiptar, është skuadra e parë e krijuar he është simboli i Shqipërisë. Tradita e shkodranëve është për t’u marrë shembull për mënyrën si i pret të tjerët. Dhe në fakt, unë në Shkodër jam ndier gjithmonë si nipi tek daja dhe të gjithë e kuptoni se çfarë privilegji ka nipi tek daja.

Jam shumë i lumtur që jam në krye të Vllaznisë dhe po kontribuoj për këtë klub të madh”- u pat shprehur Azem Hajdari gjatë një ceremonie të zhvilluar 22 vjet më parë në nderim të Adem e Suad Durraj.
© shkodrasport.com