Ky kand sportiv në qendër të Shkodrës, i konceptuem si punë ministadiumi për lojnat me dorë, ishte krijue diku në vitet ‘50. Ka gjasa që të jetë pagëzue kështu tue huazue a imitue emnin e Klubit “Spartak” të Moskës (hipotezë). Përbante nji prej vendeve publike që frekuentohej prej shumë qytetarëve.
Në vitet ‘60, në shkallë vendi, “Vllaznia” kishte ekip cilësor dhe dinjitoz në basketboll për mashkuj. Spektatorët e atyne viteve kujtojnë Vehbi Ademin, Muhamet Sokolin, Luan Shatkun, Renato Radojën, Filip Guraziun, Ali Qukun, Skënder e Petrit Osmanin, Bujar Golemin, Valter Kalanë, Agim Lahin, Angjelin Shirokën, Zyhdi Çobën, Gëzim Danin, Asllan Gjyrezin, Nikolin Palin, Nikolin Kovaçin, Viktor Kçirën, Vladimir Gjurbën etj.
Disa prej tyne kanë qenë titullarë të spikatun të kombëtares. Secili kishte cilësitë dhe përformancën që e dallonte. Radoja shquhej për elegancë dhe zotnonte nji teknikë virtuoze për kohën, Shatku paraqitej i fuqishëm dhe i papërballueshëm në tabelë, ashtu si e kishte edhe emnin, Guraziu me eficiencë të naltë në sulm dhe në mbrojtje (thuhej se përgjatë nji faze kampionati ai s’kishte humbë asnji gjuejtje të lirë), apo Osmani (Petriti) që ishte luftarak “gurç” dhe rezultativ, etj.. S’kishte ekip që e kishte të sigurt fitoren në Shkodër; ndërkaq shumica e tyne të sigurt kishin humbjen.
Në ditët e javës Kandi frekuentohej jo vetëm nga sportistët që e kishin si bazë stërvitjeje, por edhe nga sportdashësit. Më kujtohet që në sezonin ‘65-66, mbi 200 vetë çdo mbasdite përcillnin stërvitjen e ekipit nën drejtimin e të mirënjohunit Esat Haxhi, nji burrë fisnik, i aftë dhe me autoritet. Publiku që ndiqte basketbollin (por edhe volejbollin) përgjithësisht ishte mâ elitar se ai që ndiqte sportet e tjera.
Të dielave paradite përjetohej nji farë spektakli. Nji pjesë të mirë të spektatorëve i shihje gjithmonë afërsisht në të njëjtin pozicion në tribunë ose mbas telave rrethues (L. Gazulli me shokë). Krijohej nji mjedis gati familjar ku sportdashësit, që e njihnin njeni-tjetrin, përshndeteshin, solidarizoheshin, hidhnin prognoza, diskutonin, shkëmbenin batuta të ndryshme, gjana që e zbukuronin dhe e banin të kandshme ndéjen aty.
Meqë distanca midis spektatorit dhe lojtarit ishte e vogël, kishte raste që gjatë nxemjes tifoza të veçantë u hidhnin romuze lojtarëve të ekipit kundërshtar. “Çka i paske ato flokë mor, si kompozitor?!”- i thoshte njéni V. Agarait (lojtar durrsak, që kishte flokë të errët me onde dhe që i mbante mâ të gjata se shokët), “S’qenke në formë sot, aha, dukesh i lodhun!” – e thumbonte dikush M. Permetin (“Patën”), i cili ishte tip komunikues dhe shakaxhi.
E të tjera ngacmime kësodore, por kurrë ofenduese ose denigruese. Kur gjuente personalet korçari Llazi Terova, nji grup prej 4-5 djemsh thirrnin në kor, me të njëjtin rritëm: “LLA-ZI-FU-TE-BRE-NDA!” (Duket ata kishin ndigjue ndonji prej kolegëve të skuadrës së tij tue e porositë kështu atë.) Në fakt, Llazi gëzonte simpati tek basketbollistët dhe publiku se ishte lojtar shumë puntor, i suksesshëm gjithashtu, dhe i sjellshëm.
Ndonëse ai kishte qenë pjesë e ekipeve të “Universitetit” dhe “Skënderbeut”, dhe asnjiherë i Shkodrës, kur pat vdekë (mjerisht, i ri), ekipi i “Vllaznisë” nuk ngurroi me marrë rrugën për t’i dhanë lamtumirën, në shenjë dhimbjeje dhe respekti (Rruga Shkodër – Korçë ishte impenjative: udhëtimi zgjaste të paktën 10 orë me autobuz.).
Ndeshjet mâ emocionuese dhe me rivalitet mâ të naltë ishin ato kundër Tiranës (“17 Nëntorit”) dhe “Partizanit”. Zakonisht silleshin gjyqtarët mâ cilësorë dhe me eksperiencë për t’i gjykue. Ndër ata që lakoheshin si të tillë dhe që caktoheshin ishin Luan Kotherja, Virgjil Karaj, Jorgji Shundi, Rudolf Cici e ndonji tjetër. Prej këtyne shénjë bante Karaj, -”Gjili”, si e thirrnin për shkurt.
Thuhej se punonte prokuror, nji ofiç jo fort i pëlqyem prej shkodranëve. Me gjithë këtë kjo nuk e pengonte që të kishte popullaritet aty në Kandin “Spartak”. Ai kishte nji trup të vogël, pak të mbushun, mbante flokë të shkurtë mbi nji ftyrë rrumbullake. Ishte tejet ekspresiv dhe i premë. Mënyra se si gjykonte, gjithë temperament, tue përdorë gjuhën e trupit dhe të bilbilit, rezatonte elemente spektakolarë. Kishte rast që gati shtrihej përtokë (si gjyqtarët e mundjes klasike!) për të ndjekë ose zbulue ndonji detaj ose faull.
Para se me fillue ndeshja, ai azhurnohej me sekretarinë që mbante kohën e regjistronte pikët dhe, kur krijohej nji farë heshtje (në pritje), ndihej fishkëllima e tij. Bilbilit i frynte në nji mënyrë speciale (si dinte ai!), gja që rriste adrenalinën tek lojtarët dhe spektatorët. Këta të fundit nuk kalonin pa e vue re dhe pa e shoqnue me duertrokitje.
Nji herë ai e ndoqi vetimë dhe i kapi dorën nji lojtari të “Partizanit (si ta zente në flagrancë!), i cili, mbasi shkaktoi nji gabim të randë personal, tentoi me u mbëshehë mbas nji tjetri. Spektatorët e përshëndetën xhestin e Gjilit. Ndërkohë atë që shkaktoi faullin dikush nga tribuna e shpotiti: “Ky, si me kenë antar i “Njesitit Guerril”, mor! Ban atentatin e ia mbathë me u mshehë!”.
Ndodhte (jo vetëm në basketboll) që ndonji sportist kryeqytetas shfaqte shenja mendjemadhësie. Në nji ndeshje me “17 Nëntorin”, kur nji tiranas manifestoi diçka të tillë, nji spektator u çue nga vendi dhe iu drejtue:
-Mos e var aq nalt, se vetëm 12 ditë para nesh jeni çlirue!
Shpërtheu gazi prej të gjithve që e ndigjuen, por ma së forti prej atyne që e dinin se kah i rrahte zemra. Kur ai ulet në vend, shoku i vet përbri e ngacmon:
– Si dreqin, edhe liri, na paskemi disa ditë mâ pak se tiransit!?
-Jo mor, sa për atë punë, na kena mâ shumë, – e korrigjon ky, tue i shkelë synin, – sepse “këta” (për komunistat) patën hy tek na 12 ditë ma vonë!
Po baheshin përgatitjet për nji ndeshje miqsore basketbolli ndërmjet “Vllaznisë” dhe nji ekipi nga vendet e “demokracive popullore” (Bullgaria, Rrumania, Hungaria, etj.. – vende komuniste- quheshin demokratike, ndërsa Italia, Austria, Franca, Zvicra, Britania e Madhe etj., jo!). Për përforcim ishin sjellë lojtarët Ilo Teneqexhi dhe Ferdinand Qirici.
Në nji bisedë të lirë, ku ndodheshin Vehbi Ademi, Muhamet Sokoli, Valter Kalaja e ndonji tjetër, Ferdinandi tregon se i kishte lanë pershtypje nji ndërtesë me mermer shumë cilësor, – “goxha ndërtesë”. Fjala, për shpinë e Fasli Ademit (baba i Vehbisë), në qendër të qytetit, ku deri vonë ka qenë Farmacia nr. 1. Dikush i shpjegon këtij se ajo kishte qenë pronë e nji familjeje të njoftun në Shkodër, derisa ia patën marrë.
– Kush ia mori? – pyet pa të keq, si i painformuem, Ferdinandi.
– Ia morëm NE! – hidhet Vehbia, tue rrahë me ironi gjoksin (kinse fitimtar!).
Në “Spartak” emocione dhe çaste argëtuese përjetoheshin tue ndjekë edhe ndeshjet e ekipeve të tjera si ai i basketbollit femna me protagoniste Nini Pici, Artenca Tufi, Fetije Gucia etj.., i volejbollit mashkuj me lojtarë mjeshtra si Mark Grimci, Zef Toska, Ali Bushati, Tonin Fistani, Viktor Jubani, Sandër Paloka, Xhelal Haxhi, Sadik (Çako) Efovia, Mihail (Bato) Lashova etj.., apo kampionatet e boksit (deri në ‘63), ku shpalosnin mjeshtrinë dhe forcën kampionët Fadil Efovia, Mark Pishkashi, Viktor Martini, Nazmi Halili, Ndoc Gjoni, Rauf Rroji, etj.
Gjithashtu kampionatet e mundjes klasike, ku shkodranët kishin rastin me pa sukseset e Ymer Grudës, Mirash Vuksanit, Gjovalin Çunit, Gjon Lekës, Eliaz Gurit, Nikollë Grimës, Naim Pepës, etj., të ngritjes së peshave me të famshmit Faruk Kalleshi e Asim Belinova etj., etj.. Veç këtyne publiku kishte mundësinë me pa konkretisht zotësinë e mjeshtrave dhe kampionëve të tjerë nga e gjithë Shqipnia. Jam dëshmitar se në atë vend kishte jo pak raste kur për mjeshtrinë ose cilësinë e përformancës, duertrokitej edhe kundërshtari, gja që ndodhte krejt rrallë ose aspak në stadiumet e tjera të vendit.
Nji herë, në ato vite në Kandin “Spartak” u pat zhvillue nji kampionat lokal i mundjes, ndërmjet kooperativave bujqësore. Mundësit ishin “të mundun” pa ia nisë mundjes, prej jetës së vështirë, halleve dhe mungesave. Pa stërvitje, pa asnji benefic, kuptohet. Me gjithë këtë ata rivalizonin me shpirt gare, prej sedrës: katund me katund! Nji pjesë e konkurrentëve s’kishin as kostumin-tip të mundësit, ndokujt edhe kanatjeren i duhej me e marrë borxh.
Tregohej se në nji prej atyne ndeshjeve, nji katundar – spektator, i pat thirrë prej mbas telave shokut të vet, i cili i tendosun në maksimum dhe në nji pikë tejet kritike për të (“në urë”- pak pa ra në tuç), po rezistonte me vendosmení në tapet: “Oo rueju mor, se po më shkyen kanatjeren!”
Episodi i masipërm nuk të ban vetëm me qeshë ….