Për shumëkënd mund të duket si fantashkencë, por në periudhën 1952-1955 ka milituar në Kategorinë e Parë një ekip me emrin Luftëtari i Shkollës së Bashkuar “Enver Hoxha”. Skuadra ka marrë pjesë në katër kampionate: 1952, 1953, 1954 dhe 1955, si dhe ka qenë gjysmëfinaliste e Kupës së Shqipërisë, në vitin 1952 dhe 1954.
Në kampionatin e vitit 1952 zuri vendin e 3-të nga 6 skuadrat e grupit C; në atë vitit 1953 doli në vend të 7-të nga 10 skuadra dhe në kampionatin e fundit ku mori pjesë, pra atë të vitit 1955, zuri vendin e 8-të në një edicion me 16 skuadra, duke regjistruar 11 fitore, 9 barazime e 10 humbje (31 pikë në 30 ndeshje).
Në atë sezon bënin pjesë edhe Dinamo e Shkodrës, Dinamo e Durrësit, Kombinati Tekstileve “Stalin”, Spartaku i Tiranës, ekipe këto që tani nuk ekzistojnë më. Në 80 ndeshje të luajtura, Luftëtari i Shkollës së Bashkuara të Oficerëve regjistroi 30 fitore, 16 barazime e 34 humbje, me një golaverazh 99 gola të shënuar dhe 110 gola të pësuar.
SPARTAKU I TIRANËS
Ne tani jemi mësuar me emrat e Tiranës, Partizanit, Dinamos, apo Kamzës dhe Olimpikut (ekip i Kategorisë së Dytë), por në kryeqytet ka qenë edhe Spartaku i Tiranës, ky i fundit ka marrë pjesë në tre kampionate: 1954, 1955 dhe 1957, dhe nuk është dukur më në skenën futbollistike të kryeqytetit. Në kampionatin e vitit 1955, qyteti i Tiranës paraqitej me gjashtë ekipe: Dinamo, Partizani, Puna (Tirana), Kombinati Stalin, Spartaku dhe Luftëtari i Shkollës së Bashkuar. Me emrin “Spartak” ka luajtur edhe Pogradeci dhe ka pasur një Spartak edhe në Shkodër (ka marrë pjesë në dy sezone).
TEKSTILISTI “STALIN”
Skuadra e Kombinatit të Veshjeve “Stalin” u themelua në vitin 1967, në vitin 1968 doli kampione e Kategorisë së Parë, dhe në sezonin 1969-1970 mori pjesë për herë të parë dhe të fundit në Kategorinë Superiore. Zuri vendin e 13-të (14 pikë) në një kampionat me 14 skuadra, duke lënë pas Naftëtarin e Kuçovës.
SHKËNDIJA E TIRANËS
Shkëndija e Tiranës, apo më mirë e Institutit të Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi”, ka qenë një nga ekipet më simpatike që kanë marrë pjesë në Kategorinë Superiore, madje ka qenë e pranishme në 10 sezone: i pari, në sezonin 1971-1972, dhe, i fundit në 1985-1986. Me këtë formacion kanë luajtur disa nga emrat më të mëdhenj të futbollit shqiptar. Renditjen më të mirë e ka pasur në sezonin 1973-1974, vendi i gjashtë. Tani nuk ekziston më. Ekipet e saj përfaqësohen në nivelet e kampionateve të moshave.
DINAMO E DURRËSIT
Ka qenë një ide e çmendur e udhëheqjes politike, sigurisht për t’i bërë qejfin aleatit sovjetik, që në kampionatin e vitit 1953, pesë nga dhjetë ekipet quheshin Puna: Puna e Durrësit, Puna e Tiranës, Puna e Durrësit, Puna e Vlorës dhe Puna e Shkodrës. Si të mos mjaftonte një Dinamo në Tiranë, u themelua edhe një Dinamo në Durrës, por që pati vetëm tri kampionate jetë në Kategorinë e Parë (tani Kategoria Superiore), pikërisht në sezonin 1953, 1954 dhe 1955 (60 ndeshje në total, 18 prej tyre fitore).
DINAMO E SHKODRËS
Si klub u themelua në vitin 1952, por vetëm një sezon luajti në Kategorinë e Parë, pikërisht atë të vitit 1955, dhe që çuditërisht u rendit më mirë se Puna apo Vllaznia. Dinamo e Shkodrës u rendit në vendin e 4-të (33 pikë në 30 ndeshje), ndërsa Vllaznia, në të pestin (32 pikë në 30 ndeshje). Më pas, ajo nuk figuron më në historinë e futbollit shqiptar.
DINAMO E VLORËS
Përveç Flamurtarit të Vlorës – apo dikur edhe me emrin Jeronim De Rada, Ismail Qemali dhe Puna, – qyteti i Vlorës ka pasur edhe një ekipi me emrin Dinamo, që ishte në modë në vitet 1950. Dinamo e Vlorës ka marrë pjesë vetëm një sezon në Kategorinë Superiore, në vitin 1952, ku doli nënkampione e grupit C, ndërsa në raundin final, ajo zuri vendin e fundit.
YLLI I SHKODRËS
Skuadra ishte e përbërë nga ushtarakë dhe ishe krijuar në mesin e viteve 1940. Mori pjesë vetëm në një kampionat, në atë të vitit 1945, në grupin A (Vllaznia merrte pjesë në grupin B). Në atë kampionat, Ylli i Shkodrës zuri vendin e dytë pas Tiranës. Më pas u shkri si ekip.
SELENICA E VLORËS
Ndoshta tani mund të duket e pabesueshme, pasi ekipi nuk ekziston më, por në sezonin 1991-1992, Selenica e Vlorës luante në Kategorinë Superiore, përkrah emra të tillë si Tirana, Partizani, Dinamo, Vllaznia, apo dhe Flamurtarit të Vlorës. Selenica u prezantua në atë kampionat me emrin “21 shkurti”. Selenica zuri vendin e parafundit nga 16 skuadra, duke grumbulluar 27 pikë, dhe duke lënë pas Skënderbeun e Korçës (17 pikë).
DETAJET
4 sezone
mori pjesë në Kategorinë e Parë, sot, Superiore, ekipi i Shkollës së Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”: 1952, 1953, 1954 dhe 1955. Më pas ai u shkri nga Ministria e Mbrojtjes
80 ndeshje
luajti Luftëtari i Shkollës së Bashkuara të Oficerëve ku regjistroi 30 fitore, 16 barazime e 34 humbje, me një golaverazh 99 gola të shënuar dhe 110 goal të pësuar
6 ekipe
nga kryeqyteti morrën pjesë në sezonin 1955: Dinamo, Partizani, Puna (Tirana), Kombinati Stalin, Spartaku dhe Luftëtari i Shkollës së Bashkuar. Vetëm tre janë akoma
4 skuadra
shqiptare janë quajtur me emrin e gladiatorit të famshëm të Perandorisë romake: Spartaku i Tiranës, Spartaku i Korçës, Spartaku i Shkodrës dhe Spartaku i Pogradecit.(Marrë nga tifozët.al)