Të dielën Vllaznia dhe Teuta do të përballen me njëra- tjetrën në kuadrin e javës së 22-të të Kategorisë Superiore. Këto dy ekipe janë ndeshur edhe dy herë të tjera gjatë këtij sezoni dhe në dy rastet ato janë ndarë në barazim 0-0.
Në fakt, historia e këtyre përballjeve edhe herë të tjera ka dhuruar shumë barazime. Dhe sot kemi shkëputur një tjetër ndeshje mes tyre, pikërisht atë të datës 20 prill 1986 kur në stadiumin e Durrësit kur rezultati përfundimtar ka qenë ai 1-1.
Shkëputëm këtë ndeshje pasi ka dhuruar shumë emocione. Vllaznia shënoi në minutën e 88-të me anë të Ardian Bushatit dhe shkodranët menduan se e fituan atë, por nuk do të ndodhte kështu.
Një minutë më vonë, Lokomitiva ka fituar të drejtën e një 11-metërshi dhe ka qenë Miha që ka shënuar duke barazuar për durrsakët që në atë periudhë mbanin emrin “Lokomotiva” dhe kësisoj i gjithë takimi u mbyll në barazim.
Mjafton të përmendim emrat e lojtarëve që kanë luajtur në këtë ndeshje dhe vërtetë janë emra shumë domethënës. Kështu Lokomotiva luajti në këtë ndeshje me këtë formacion: Lekbello, Koka, H. Ballgjini, Engjelli, Jani, Miha, L. Manushi (Belishova 46′), Meta, Budakova, Hado dhe Sh. Ballgjini, ndërkohë që trajner ka qenë i mirënjohuri Bejkush Birçe.
Ndërkohë Vllaznia që në pankinë drejtohej nga Astrit Hafizi luajti në këtë ndeshje me këtë formacion: Dani, Zmijani, Pashaj, Thana, Semaj (Laçej 75′), Bushati, Jera, Briza, Vukatana (Kepa ’89), Luçi, Fakja.
Ndeshja u pat drejtuar nga një treshe arbitrash nga Tirana me kryesor B. Bukovikun, K. Çanon dhe Xh.Zajmin, ndërkohë që të pranishëm në shkallët e stadiumit kanë qenë plot 7 mijë tifozë.
© shkodrasport.com