Erzeni do të luajë me Vllazninë më 20 gusht në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, duke qenë se “Tofik Jashari” në Shijak nuk i plotëson kriteret e FSHF-së për zhvillimin e ndeshjeve në Superiore.

Shijakasit kanë kujtime të bukura nga starti me Vllazninë, pasi pikërisht në të parën herë kur ishin në elitën e futbollit shqiptar, ndeshja historike mes dy skuadrave ka përfunduar me fitoren e thellë të Erzenit 5-2 në stadiumin “Tofik Jashari”.

“Panorama Sport” risjell sot formacionet e dy skuadrave në ndeshjen e luajtur më 29 shtator 2001, teksa kuqeblutë vinin pas shpalljes kampion një sezon më parë. Erzeni drejtohej në atë kohë nga trajneri italian, Ticiano Gori, ndërsa shkodranët nga malazezi Dervish Haxhiosmanoviç. Golat për shijakasit do të shënoheshin në pjesën e parë me Sokol Ishkën dy herë dhe Fation Ymerin një herë.

Në pjesën e dytë realizonte sërish Ymeri dhe gjithashtu në shtesë Endri Yzeri. Për kuqeblutë shënonin Edmond Dalipi dhe Edmond Doçi, duke vulosur shifrat 5-2. Interesant është fakti se portieri i Erzenit në këtë takim ka qenë Xhevahir Kapllani, i cili sot 21 vite më pas do të drejtojë si trajner skuadrën shijakase në Superiore.