Historia e Vllaznisë së futbollit padyshim që ka patur shumë momente të bukura në historinë e saj 100 vjeçare. Dhe jo vetëm në ndeshjet kombëtare, por edhe ato ndërkombëtare dhe përpos fitores që mbajnë mend të gjithë, asaj ndaj Austrisë së Vjenës në vitin 1978 me rezultatin 2-0, ka patur edhe fitore të tjera që kanë mbetur në mendjen e të gjithëve.

“Shkodra Sport” ju risjell sot njërën prej tyre, pikërisht atë të datës 17 dhjetor 1986 ndaj njëri prej ekipeve më të mira të ish- Jugosllavisë së atyre viteve, pikërisht Buduçnostit të Titogradit (Podgoricës së sotme). Ata që e mbajnë mend këtë ndeshje, ende thonë se Vllaznia fitoi ndaj Dejan Saviçeviçit të madh.

Në atë ndeshje, ai sapo kishte mbushur 20 vjeç, kishte nisur të shpërthente dhe ishte bërë pjesë e kombëtares së ish- Jugosllavisë. Luante për Buduçnostin para se të kalonte tek Crvena Zvezda e më pas tek Milan ku pati shkëlqimin e tij të madh. Megjithatë, në Shkodër të gjithë ende edhe sot që Saviçeviçin e ka mundur Vllaznia e Rragamit, Zmijanit, Jerës, Vukatanës etj.

Vllaznia ka luajtur në këtë ndeshje me portierin Maliqati, për të vazhduar me Zmijanin, Dedjen, Semaj, Pashaj, Rragamin, Briza, Jera, Bushati, Vukatana dhe Laçja, ndërkohë që trajneri Hafizi ka aktivizuar në pjesën e dytë edhe Bershenin dhe Shabën.

Ndërsa Buduçnosti i njohur i atyre viteve do të luante me Gjukanoviç, Peshterac, D.Brnoviç, Stanisavleviç, Drobnjak, Pejoviç, Mugosha, Martaç, Janoviç, Saviçeviç e B.Brnoviç ndërkohë që trajner i kësaj skuadre Zhivadinoviç

Arbitra të kësaj ndeshje ka qenë korçari Dhori Prifti i ndihmuar nga Jorgji dhe Koça.

Rezultati i ndeshjes është zhbllokuar në minutën e 9-të kur Rragami e Jera kombinuan bukur me njëri- tjetrin duke nxjerrë më pas në pozicion shënimi Ardian Bushatin që përballë Gjukanoviç nuk heziton të shënojë.

Në minutën e 23-të, Martaç- numri 9 i Buduçnostit me një gjuajtje të bukur arrin të mposhtë portierin Maliqati dhe e dërgon topin në rrjetë duke barazuar shifrat në 1-1.

Megjithatë edhe barazimi do të zgjaste pak. Në minutën e 29-të Vllaznia do të shënonte sërish. Mesfushori Viktor Briza do të gjuante fort në drejtim të portës kundërshtare dhe topi përplaset në shtyllë dhe kthehet në lojë. Aty ku sulmuesi Arjan Laçja tregohet i vëmendshëm duke ndjekur aksionin dhe me kokë do ta dërgonte topin në rrjetë duke shënuar kësisoj golin e tij të parë në një ndeshje ndërkombëtare.

Në minutat e mbetura, pavarësisht rasteve të krijuara nga të dy ekipet, nuk do të kishte gola të tjerë dhe gjithçka do të mbylej në shifrat 2-1 për Vllazninë. Kjo do të ishte fitorja e parë e trajnerit Astrit Hafizi në një ndeshje ndërkombëtare në drejtimin e kësaj skuadre, pasi më parë e kishte drejtuar atë në dy ndeshjet e Kupës Ballkanike ndaj Glorias me të cilën një takim e kishte barazuar dhe një tjetër e kishte humbur.

Ai u vlerësua edhe për faktin se i besoi 18 vjeçarit Semaj në këtë ndeshje një vend titullari, ashtu si dhe Laçjes e Bershenit. Një fitore që ka gëzuar 12 mijë tifozët shkodranë të pranishëm në stadiumin “Vojo Kushi” ndonëse e gjithë ndeshja është shoqëruar nga reshje shiu.
Gjergj KOLA