Më 7 maj 2008 në Elbasan, Vllaznia e Shkodrës pasi mundi 0-2 Tiranën, fitoi Kupën e Shqipërisë numër 6-të. Trofeu i fundit derisa në 31 maj të vitit 2021, Vllaznia e Tomas Brdariç, triumfon në një tjetër finale Kupe. Kësaj radhe në ‘Air Albania Stadium’, fiton Kupën e 7 në histori ndaj Skënderbeut në shifrat 1-0.
Skeda e ndeshjes finale të Kupës së Shqipërisë në 7 maj 2008.
Elbasan: Tirana – Vllaznia 0-2
Shënues: Lika 2′, Sukaj 38′.
TIRANA: Osmani, Sina (Gjoreski 46′), Kçira, Vrapi (Hajdari 46′), Fagu, Hyka, Deliallisi, Mohelebi, D. Xhafaj, Duro (Arapi 46′), Fortuzi. Trajner: S. Mema.
VLLAZNIA: Grima, Teli, Delain, Kapaj, Lici, Kotrri, Nallbani (Hoti 82′), Osja, Lika, Sukaj, Kaçi. Trajner: D. Haxhiosmanoviç.
Gjyqtarë: B. Rafati, K. Kadah, M. Pikel (Gjermani).
Kartonë të verdhë: Hyka, Mohelebi (2), Teli.
Karton i kuq: Mohelebi.
Shkodranët triumfojnë ndaj Tiranës, me dy gola të Likës dhe Sukajt, duke merituar Kupën e Shqipërisë. E veçanta, finalja gjykohet nga arbitra të huaj…
“Vllaznia është fituesja e Kupës së Shqipërisë, pasi mundi në finale 2-0 Tiranën. Ishte një fitore plotësisht e merituar për shkodranët, që rikthejnë këtë trofe në klub, pas 20 vjetësh pritjeje.
Me dy gola të Likës dhe Sukajt që në pjesën e parë, kuqeblutë hodhën në “tapet” kryeqytetasit, që gjatë gjithë 90 minutave vuajtën shumë. Madje nuk treguan asgjë nga arsenali i tyre, edhe pse u konsideruan favorite në këtë përballje, pas asaj fitoreje 5-1 në kampionat disa javë më parë. Pikërisht kjo fitore i ka futur në “kurth” bardheblutë, pasi mendonin se do të triumfonin sërish, por nuk ka ndodhur kështu në fushën e lojës, sepse Vllaznia ishte padrone e fushës, duke luftuar për çdo top.
Shpirti i shkodranëve dhe tifozeria e mrekullueshme që kishte mbushur shkallët e “Ruzhdi Bizhuta”, e meritoi tërësisht këtë sukses, që ka emrin Europë. Po si erdhën të dyja skuadrat në këtë përballje finale? Tirana kishte formacionin e saj të plotë, ndërkohë që në kampionat ndiente peshën e dy humbjeve radhazi me Partizanin dhe Tiranën.
Trajneri Sulejman Mema preferoi formacionin tip, me Fortuzin dhe Xhafajn në sulm, kurse mbrapa tyre vinte Duro. Ndërkohë, shkodranët, hidhërimin e mungesës së “bomberit” të tyre, Vioresin Sinani, duket se e kthyen në forcë, teksa treshja Lika-Sukaj-Kaçi është e mrekullueshme në veprimet e saj.
Pas 120 sekondash lojë, shkodranët tregojnë “dhëmbët”, kur pas një krosimi nga e djathta, Gilman Lika shënon golin e parë, si rrjedhojë e një vendosjeje të gabuar në mbrojtje e bardhebluve. Pak minuta më vonë, Sukaj do të godasë edhe traversën. Këto goditje radhazi shkundin Tiranën, që vetëm pas disa minutash lojë, arrin të organizohet dhe të marrë veten.
Në dy momente është Xhafaj ai që kundërpërgjigjet, duke goditur shtyllën dhe më pas grushton mrekullisht Grima. Kur pritej goli i barazimit, në minutën e 38-të, është Sukaj, që me një veprim shumë të bukur në zonë, mposht për herë të dytë portierin Osmani. Gëzimi është i ligjshëm në kampin kuqeblu.
Fraksioni i dytë i lojës nis me tri zëvendësime të menjëhershme të trajnerit Mema, i cili i irrituar nga loja e të tijve, lë në dhomat e zhveshjes Duron, Sinën dhe Vrapin, duke aktivizuar Arapin, Gjoreskin dhe Hajdarin. Edhe pas këtyre tri ndryshimeve, Tirana e ka të pamundur të çajë mbrojtjen e ngjeshur të Vllaznisë, me Telin, Licin, Kapajn dhe Delain. Fortuzi me Xhafajn janë tërësisht të izoluar, kurse Hyka nuk është në ditën e tij më të mirë. Në çastet e fundit ka vend edhe për nervozizëm, ku mesfushori Mohelebi ndëshkohet me dy kartonë të verdhë, duke lënë Tiranën me një lojtar më pak.
Shkodranët kontrollojnë të gjitha situatat, madje herë pas here kërkojnë edhe të kundërsulmojnë me Sukajn, në mënyrë për ta mbajtur topin sa më larg portës. Edhe dy minutat shtesë nuk sjellin asgjë të re për Tiranën, qoftë edhe për të shënuar golin e nderit në këtë finale kupe.
Për bardheblutë mbyllet kështu një sezon i gjithi i dështuar, duke filluar nga eliminimi në turin e parë të Ligës së Kampioneve, për të vazhduar me daljen nga lufta për titullin kampion, humbjet radhazi në derbi dhe së fundmi, dështimin në finalen e Kupës së Shqipërisë, ku pritej fitimi i trofeut dhe prerja e biletës europiane.
Sa për Vllazninë, duhen thënë fjalët më të mira për presidentin Valter Fushaj, që besoi deri në fund te forca e skuadrës së tij dhe sidomos të trajneri i dytë, Dervish Haxhiosmanoviç. Që dje, Shkodra, por edhe i gjithë veriu i Shqipërisë, kanë të drejtë ta festojnë këtë triumf të merituar”.
(Marrë nga gazeta “Sporti Shqiptar”, 08 maj 2008)