Një herë i pata quajtur të gjithë me këtë emër: “Sportisti i Durrësit”. Doja të personifikoja historinë e tyre të bashkuar në një, sepse Durrësi është një prej pjesëve më të ndritura të historisë së sportit shqiptar. Madje, Durrësi është themelues në sportin shqiptar. Në Shqipëri, sportistët e Durrësit kanë qenë nga ata të cilët, kanë pasur një mënyrë sjelljeje krejt të tyren, njëfarë lirshmërie vetjake, një pasion personal, një atdhetari sportive të pakrahasueshme për qytetin e tyre, nëse mund ta përcaktonim kështu. Në Durrës, sporti ka qenë ndër më intelektualët në Shqipëri, jo thjesht për arsimimin e sportistëve, qysh në fillimet e sportit të tij dhe as për faktin se bijtë e familjeve më të mira, më tradicionale të qytetit, janë ata që i kanë dhënë sportit jetë, por në tanësi në atë që më pëlqen ta quaj “sporti qytetar”. Kësisoj, duke dashtë ta nënkuptoj këtë sport, si pjesë të plotë të kulturës së një kombi, aq më tepër për Durrësin, i cili ka pasur olimpistë të famshëm qysh në olimpiadat e lashtësisë.
Sportistët e Durrësit janë ata të cilët edhe kur gëzimi mungonte e ishte aq i rrallë në Shqipëri, ata dinin ta krijonin atë si pakkush. Sportistët e Durrësit, kanë qenë notarë të mrekullueshëm, basketbollistë e volejbollistë që rrallë i ka pasë Shqipëria, futbollistë të famshëm për ne, atletë që kanë thyer gjithnjë rekorde kombëtare. Durrësi, ka pasë shahistë europianë, peshëngritës rekordmenë, boksierë e çiklistë të mëdhenj, gjimnastë që kanë bërë histori, qitës botërorë e deri pingpongistë të shquar. Durrësi ka lindur e formuar atleten më botërore të Shqipërisë, Mirela Manjanin – dy herë kampione e botës dhe nënkampione olimpike në shtizë. Ndërkaq, në këtë 2021 Durrësi sa është kampion në futboll po aq është kampion edhe në basketboll, me Teutën apo me ‘Goga Basket’-in e tij, duke u bërë qyteti i parë në historinë e Shqipërisë ku dy skuadra basketbolli të tij janë kampione dhe nënkampione njëherësh.
I tillë është “Sportisti i Durrësit”. Ai i cili të mrekullon mbi të gjitha me temperamentin e tij të flaktë, me talentin e fuqishëm, me sfidat e tij, me guximin, të gjitha këto – pjesë të një stili që në këtë qytet të vjetër sa toka, është mënyre jetese, stil i vërtetë qytetarie. Historia e tij është një e vetme, pjesë e pandashme e historisë së vetë qytetit. Nga brigjet e tij adriatikase kanë mbërritur në Shqipëri shumë sporte, e prej këtu janë krijuar fillime e kanë lindur sa e sa tradita kulturore e sportive, qytetare e patriotike, antike e moderne.
Si një nyjë lidhjeje e pashkëputshme me botën, gjithsesi edhe në gati 50 vjetët, kur për Shqipërinë qe mbyllë edhe dritarja e madhe durrsake, prapë se prapë bregu i Durrësit, në vetvete, ka qenë një shpresë, një shpresë e madhe lirie mbi të gjitha. Dhe mandej, mbasi flaku tej atë, emrin e makinës, “Lokomotiva”, dhe rimori emrin e njeriut, të historisë, “Teuta”, ia arriti të bëhej mbret i kampionatit shqiptar edhe në futboll. Tash po marr guximin të krahasoj “Sportistin e Durrësit” me këtë të sotmin që fitoi kampionatin kombëtar të Shqipërisë këto ditë, mbas bukur 23 vjetëve. Papritmas më duket diçka krejt tjetër, sepse, përveç të tjerave, sot Teuta ka fituar një titull që në përbërjen e lojtarëve nuk është tipik durrsak, është universal – shqiptar, e madje ndërkombëtar. Them kështu, se në kombësinë e lojtarëve të saj, kjo është një ‘Teutë’ globale, deri dhe me futbollistë brazilianë, maqedonas e grekë. E megjithatë prapë se prapë ai është “Sportisti i Durrësit”.
Të mërkurën e 26 majit 2021, në Durrës festa “modeste” që nisi në stadiumin e më pak spektatorëve në gjithë historinë tonë për një fund kampionati, në mbrëmje ka vazhduar fort përtej perëndimit të diellit. Ky është stili i vjetër i ‘Teutës’ së Durrësit. 27 vjet e ka pritur ‘Teuta’ atë ditë, duke ua rrëmbyer titullin tre rivalëve, thuajse të njëjtë m’û në çastin e fundit: “Vllaznisë”, “Partizanit” e Klub-Futboll Laçit. Dhe nuk mbajmë mend një fitore kampionati, prej një skuadre jo të kryeqytetit, që të mbërrihej kësisoj.
Nuk ishte si në Kavajë, në 1994-ën, kur derbi i tyre ka qenë përherë një ndeshje karakteri. “Teuta” 2021, çelësin e portës që e çonte te titulli i dytë, nuk mund ta kërkonte në Kavajë, sepse “Besa” e famshme, është zhdukur në Kategorinë II-të. I duhej ta kërkonte në Tiranë e në Shkodër. Pse jo, edhe në Laç. Dhe e mori. E mori përmes një fitoreje të bujshme 6-1, që e ka detyruar Apoloninë e halleve të mëdha t’i shtrëngojë e para dorën kësaj kampioneje, e cila me golat e pandalshëm të saj, shkoi në vetëm + 4 gola, mbi rivalin “Vllaznia” e Shkodrës. Këta qenë golat e titullit dramatik.
Çuditërisht, fati i kampionatit u vendos pikërisht falë kësaj “Vllaznie”, një fat fatal si në kthesat e “tragjedive” greke. Akti “tragjik” ndodhi vetëm 180 minuta para mbarimit të kampionatit, më 21 maj 2021, kur “Vllaznia” fitoi 1-0 në Tiranë me “Partizanin”. “Krimi” u bë prej një 11-metërshi të pamëshirshëm, në fund të fundit, fryt i epërsisë së dukshme të shkodranëve, gjatë gjithë lojës. M’û këtu ndërroi fati i kampionatit. Ndërroi kur “Teuta”, u duk se u përplas për tokë ngaqë vetëm 4 ditë më parë, ajo kishte humbur në Durrës, 0-1 me “Partizanin”, i cili qe vënë në krye dhe para kohe, mendoi se titulli do të ishte i tij. Harroi se kishin mbetur edhe 180 minuta lojë.
Dhe, në ‘90-shin e parë të tyre, “Vllaznia” shuan pa mëshirë shpresat partizanase. Në këtë çast, “Teuta”, e kupton se titulli mund të jetë i saj, sigurisht mbas një rezistence të pagabueshme, 0-0, me konkurrentin tjetër në Laç. Jo më si në 1994-ën, kur dy ndeshjet e fundit, i shndërron në festive, por tash vetëm njërën: atë; 6-1, kundër skuadrës së fundit, “Apollonisë” së Fierit. Titulli, nuk mund t’i ndalej më prej askujt. As prej një “Vllaznie”, dhe as prej një “Partizani”.
Ka pritur 27 vjet “Teuta” për këtë ditë të dytë, titullare të saj. Në këta 27 vjet, Shqipëria nuk ka ndërruar katër regjime, si deri në 1994-ën, kur kishte përjetuar mbretërinë, luftën, shtypjen dhe kishte fituar demokracinë. Tashmë, për fat, ajo po shpallej kampione në një demokraci, shpesh autarkike si kjo e viteve të fundit, pra ku gjithçka, sikur arrihet diku, prej urdhrave të majës së pamëshirshme: deri dhe me mpakjen e një kampionati, me vetëm 10 skuadra. Jo me 14, si në 1994-ën, kur “Teuta”, fitonte titullin e parë.
Si mbas renditjes së vitit 1994, ato ishin: “Teuta” e Durrësit, Sport Klub “Tirana”, “Flamurtari” i Vlorës, “Vllaznia” e Shkodrës, “Dinamo” e Tiranës, Klubi Sportiv “Elbasani”, “Partizani”, “Albpetroli” i Patosit, “Apolonia” e Fierit, “Besëlidhja” e Lezhës, Klubi Sportiv “Lushnja”, “Besa” e Kavajës, Klubi Futbolit “Laçi” dhe “Sopoti” i Librazhdit. Jo 10, por plot 14 skuadra! Prej tyre, në kampionatin kombëtar 2021, ishin vetëm 6: “Teuta”, Sport Klub “Tirana”, “Vllaznia”, “Partizani”, “Apolonia”, Klub Futboll “Laçi”. Duke i vështruar, “Teuta” e sotme e kupton se ka humbur shumë miq të vjetër…! Natyrisht, as ajo vetë nuk ka mbetur po ajo.
Në plot këta 27 vjet, ajo ka fituar edhe katër herë “titullin” e nën kampiones. Mbi të gjitha, ajo ka fituar katër Kupa të Shqipërisë dhe një Super-kupë. Dhe këtë verë, e sheh veten si klubi më i fuqishëm i vendit. Ndërsa unë, që nuk i ndahem “Sportistit të Durrësit”. Skuadra e një Dovane dhe e një Gjiri, e një Tartari dhe e një Jeremiqi, e një Margeriti dhe e një Thermie, ka qenë një nga shoqëritë më qytetare të Shqipërisë, që gjithsesi, diti ta ruajë traditën e saj të pastër edhe atëherë, kur qe aq vështirë për t’u ruajtur.
Këtu është rasti, për të thënë se të një Durrësi, janë Skënder Jareci e Qemal Vogli, Raq Manushi me të bijtë dhe Ali Zalla, Teli Ciko e, Abdulla Duma, Nikolla Bespalla e Orest Grami, Petraq Ikonomi e Safet Berisha, Maksut Leshteni, Osman Kapidani e dy Ballgjinët e mëdhenj. Për të ardhur te Çela e te Bulku, te Hima e tek Ajazi, te Miha, tek A. Maliqati e Filiari, te Hado e Meta. Kaq sa për të përmbledhur në pesë radhë, disa protagonistë të një historie të hershme, që fillonte në Durrës e shpesh, mbaronte diku tjetër, për lavdinë e dikujt tjetër…! Për t’iu shtuar këtyre, kampionët e “Teutës” 2021-it: Aleksi, Arapi, Avdyli. Beqja F., Beqja L., Bregu F., Daja, Frashëri, Gruda, Hebaj, Hoxha, Jackson, Junior, Kapllani D., Karabeci, Kouros, Krasniqi, Pjeshka, Plaku 21, Todorovski, Vila E., Vila L., Zogaj. Trajner Edi Martini.
Dhe po kthehem prapë mbrapa, po rreshtoj 17 protagonistët e Durrësit, të cilët arritën deri te fanella e Kombëtares së Shqipërisë: Jareci, Vogli, Qoshja, Berisha, Duma, Leshteni, A.Lekbello, Sh.Ballgjini, H.Ballgjini, Kapllani, Abazi, Sukaj, Pali, Qendro, A.Dashi, Sh.Kapidani, Alvaro Zalla, Dobi, Alliu, Koça, Martini, O.Muka, Babamusta, Mancaku, D.Xhafaj, Vila, T.Osmani, Veliaj, e deri te Dosti – i fundit kombëtaras i “Teutës”, në vitin 2014. Dhe kampionia jonë, e cila qysh prej 2014-ës, nuk ka më asnjë lojtar në Kombëtare…!
Ajo do të ruajë “përjetësisht”, në histori, fitoren 2-0 të Shqipërisë, ndaj Bosnjë-Hercegovinës, në vitin 1995, kur formacioni i Shqipërisë, kishte plot 5 lojtarë të “Teutës”: Kapllani, Qendro, Alliu, Dobi, Koça! Dhe të dy golat, vepër e durrsakëve Qendro e Dobi. Ishte viti 1995 dhe “Teuta” ishte nënkampione e Shqipërisë. Guximtari, i përfshirjes së kaq shumë durrsakëve në Kombëtare – rekord absolut, për te deri më sot – ishte trajneri, Neptun Bajko. Historia kombëtarase e “Teutës” të duket se është mbyllur, me mohikanin e fundit të saj, Albi Dosti në vitin 2014.
Merret me mend se përse… 27 vjet më pare, mbahet mend që të 15 kilometrat e autostradës Kavajë – Durrës, patën përjetuar gjallërinë e mbrëmjes së asaj të shtune të vitit 1994, ku rreshtimi i pafund i auto-veturave të durrsakëve simpatikë, patën krijuar një imazh dritash, “të lidhura” njëra mbas tjetrës, në një gjarpëruese të përshkëndijtë, të pambarim. “Teuta – skuadra e tifozëve me autovetura”! Kështu pata shkruar. Ndërsa tash, në vitin 2021, nuk ekzistonte më spektakli i titullit “kavajas”, i vitit 1994. Teuta 2021, për fatin e një fataliteti të një pandemie të pamëshirshme, hyri në histori, si kampionia pa spektatorë. E megjithatë, ata prapë se prapë ishin me mijëra.
Ishin në rrugët e qytetit, në shtëpi, para ekranit të televizionit, në zemrat e gjithë durrsakëve. Në vitin 1994, suksesin më të madh, e pati “vepra” e trajnerit Edmond Miha, pjesa e dytë e së cilës, u shkrua me një stil tejet ritmik e origjinal, prej trajnerit Haxhi Ballgjini. Në vitin 1994, të dy këta, na patën dhanë një kampione, forca e së cilës mbi të gjitha, ishte te porta. Suksesi nuk qe vetëm te porta e një Kapllani 20- vjeçar, i të 793 minutave lojë pa gol, i cili përmes një trashëgimie vërtet sensacionale, vazhdoi me 761 minutat pa gol, të 24 – vjeçarit Kujtim Shtama.
Ndërsa në këtë 2021, them se ishte diku tjetër. Ishte te barazimet e pafund, plot 15, ndonëse prapë, ishte edhe te golat e pësuar, vetëm 16. Sot, në 2021-in, trajneri është dikush tjetër. Është Edi Martini – firmë e madhe e fushës blertë, për “Vllazninë” e Shkodrës, e cila jo drejtpërdrejt, ia “blatoi” titullin e tij, për te “Teuta”. Ky është trajneri Martini – njeriu i cili, hyri në histori, teksa brenda 12 muajve, i dha “Teutës” së Durrësit, Kupën e Shqipërisë, Super kupën dhe titullin e kampionit kombëtar, 2021. Në titullin e “Teutës” 1994, ky Martin, ishte krye shënuesi i kampionatit: 14 gola me “Vllazninë”. Këto janë përkimet “lojcake”, të historisë…!
Ajo është një Teutë, që realizon pa bujë, pa marramendje, pa vetëkënaqësi, por vetëm me punë – cilësi këto që besoj se; nuk gaboj kur them, se më të plota se askush, në gjirin e saj, i mishëronte presidenti, Edmond Hasanbelliu. Them se ky njeri, më shumë se askush tjetër, e di mirë se çka është “Sportisti i Durrësit”. 2. Dhe mbërrij te “Sportisti i Shkodrës”, ai i cili më ngjason fort me “Sportistin e Durrësit”. Në historinë e sportit shqiptar, marrëdhëniet “Sportisti i Durrësit” – “Sportisti i Shkodrës”, kanë qenë thuajse një bashkësi.
Është një dyshe që, ka pasur gati një mënyrë sjelljeje, një mënyrë “Fair Play”, një ritëm sportive, tejet të ngjashëm, përfaqësuesit më të spikatur të sportit qytetar. Në një editorial të vjetër, pata shkruar se Shkodra, kjo ka qenë: e bashkuar, përherë e një kulture të thellë tradicionale, luajale e kryengritëse njëkohësisht, “qytet me kunora, që të hodhën përkrye, gur e hekurat, e para” – siç shkruante Martin Camaj i madh.
Bijë e Shoqnisë “Vllaznia”, ajo, në njëfarë mënyre, personifikon të parin Klub Sportiv shqiptar, që u bë simbol i sportit kombëtar. Prej saj, kanë ardhë në Shqipëri gati të gjitha sportet. Shpesh u nëpërkëmb, u nënvleftësua, e pse jo, disa herë u shkatërrua, duke ia marrë arbitrarisht djemtë e saj për të tjerë e, duke e dënuar pa mëshirë. E prapë ajo çonte krye, falë shpirtit të saj të madh. Dhe mbijetoi! “Vllaznia” ka qenë vepër e familjeve ma të mira të Shkodrës, të cilat qysh ditën e parë të krijimit, e mbajtën me shpenzimet e tyre, atë: Naibi, Juka, Serreqi, Pipa, Dani, Boriçi, Ashiku, Bushati, Draçini, Saraçi, Marubi, Paluca, Kakarriqi, Kodheli, Kraja, Dibra, Hoti, Jakova, Kaduku, Paçrami, Shiroka, Logoreci, Ramadani, etj.…!
Dhe si Shoqni “Vllaznia”, më kujton se ndër veprat e para të saj, qenë tri: hapja e nji shkolle, çelja e nji biblioteke, organizimi i nji gare sportive. “Vllaznia” më kujton se e para në Europë, ka organizuar garën e parë atletike në Shqipëri, (1920) dhe rrethin e parë të vërtetë çiklistik, për amatorët në Europë (1925), të cilin në fjalën time, si president i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, e kam vërtetuar në Kongresin Botëror të Çiklizmit, në Shtutgart në 1991. Ndërkaq, nuk mund të harrohet se Shkodra e “Vllaznisë” i ka dhënë Shqipërisë gazetën e parë sportive (“Gazeta e Sportit” – 1925). Por, siç thashë, “Sportisti i Shkodrës”, ka kaluar përmes traumave jo fort të vogla: Në vitin 1971, si e treta e Shqipërisë, “Vllaznia” do të dilte për herë të parë në Europë, ku do të matej me Rapidin e Vjenës për UEFA-n.
Por, shteti komunist tha “jo”, sepse volejbollistët e saj; “nuk qenë sjellë mirë”, në një turne të tyre në Kosovë. Në vitin 1972, “Vllaznia”, ishte kampione dhe shorti po bëhej gati t’i dhuronte “Ajaksin” legjendar. Po shteti tha prapë; “jo”, sepse vazhdonte dënimi e ekipit volejbollit. Dhe “Ajaksi”, kaloi turrin tjetër, pa ndeshje. Në vitin 1974, “Vllaznia”, ishte përsëri kampione. E prapë shteti tha; “jo”, në Kupat e Europës. Kësaj radhe, jo vetëm për “Vllazninë”, por edhe për të gjitha klubet e tjera, e deri te Kombëtarja në atë vit të zi ’74, mbylljeje të frikshme. Në vitin 1979, “Vllaznia”, fitoi Kupën e Shqipërisë dhe UEFA e pamëshirshme, i dha “Dinamon” e Moskës. E shteti si zakonisht, tha përsëri; “jo”, nuk duhej luajtur me revizionistët!
Pa pasur as respektin më të vogël, për një “Vllazni” e cila vetëm një vit më parë, i kishte hapur krenare dyert e Europës, për Shqipërinë e futbollit, me fitoren e bujshme, kundër 8 lojtarëve të kombëtares austriakë, nën fanellat e “Austrias” së Vjenës – një 2-0 historik. Në vitin 1981, “Vllaznia”, është përsëri zotëruese e Kupës së Shqipërisë, por prapë UEFA, që dënonte për shkak mosluajtjeje me “Dinamon” e Moskës, para dy vjetësh! Në vitin 1983, “Vllaznia”, – kampione e Shqipërisë, dënohet përsëri, me mos luajtje, sepse dënimi i vjetër i UEFA-s, mbetet i pamëshirshëm për të.
Në vitin 1992, “Vllaznia” i rikthehet titullit kampion, por kësaj radhe UEFA, dënon të gjitha klubet shqiptare, me mos luajtje për paqëndrueshmëri të situatës që po kalonte vendi. Më 1997-ë, “Vllaznia” është nënkampione dhe UEFA dënon Shqipërinë përsëri, si më 1992-in. Në vitin 1998, “Vllaznia” i rikthehet titullit dhe tashmë, në Ligën e Kampioneve, me vetëm 0-1 me “Dinamon” e Tbilisit, ajo shpresonte për një kualifikim të madh! Por “rasti Jahja”, – emri i ngatërruar në protokollet e shndërron 0-1 në 0-3!
E kanë përjashtuar 9 herë të bukura, nga Kupat e Europës! Sot, e gjithë kjo, të duket pak, kur kujton se jo larg, por vetëm dy vjet pare, ajo ishte skuadër e Kategorisë së Dytë të Shqipërisë. Mirëpo, ky dënim nuk vjen nga UEFA, por vjen nga FSHF-ja, po aq e pamëshirshme, ngaqë don vetëm 10 skuadra në kampionat! Dhe ajo, sfidon po këtë FSHF, vetëm mbas 24 muajve, teksa ngjitet në nënkampione e Shqipërisë dhe fiton Kupën e vitit 2021.
Kjo është forca e sportit qytetar. Ky është “Sportisti i Shkodrës”. Këto ditë, “Vllaznia” ka fituar Kupën e saj të shtatë të Shqipërisë, në histori. Të parën e ka fituar në 1965-ën – një premierë finaleje e paprecedent, në historinë e futbollit shqiptar: “Vllaznia” – “Skënderbeu” 1- 0. Fusha asnjanëse, e stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”, bëhet para 8000 shikuesve, arena e evenimentit historik, Shkodër – Korçë. Selami Dani, golashënues i lindur, është autor i golit historik.
Ai shënon nga afër, në minutën e ’57-të dhe “Vllaznia”, fiton Kupën e Shqipërisë, për herë të parë në histori. Kanë qenë: Paulin Ndoja, Frederik Çapaliku, Sadedin Zmijani, Mehdi Milla, Nikoll Gjergji, Kol Gjoni, Esat Rakiqi, Hajro Lekaj, Mendu Dedja, Selami Dani dhe Sabah Bizi, 17-vjeçar. Trajnerë: Skënder Jareci – futbolli emblemë i Dinamos. Këta ishin “themeluesit” fitimtarë, të një Kupe të Shqipërisë, për “Vllazninë”. “Vllaznisë” i janë dashtë plot shtatë vjet, për të fituar Kupën e dytë. Viti 1972. Viti i madh i saj. Kampione mbas 26 vjetëve dhe fituese e Kupës, mbas 7 vjetëve. Është një Kupë e gjitha një risi historike: për herë të pare, janë në fundoret “Besa” e “Vllaznia”.
Drama ka dy akte. I pari në Kavajë, 2-0 për “Besën” më 9 prill 1972 dhe i dyti në Shkodër, më 23 prill 1972, po 2-0 për “Vllazninë” në 120 minuta lojë. Mandej, pesë 11-metërshat mitikë, të kapitenit Ramazan Ragami – një histori e stërtreguar, që vazhdon të sillet përjetë, në historinë e Kupës së Shqipërisë. Me Rragamin e madh, ishin edhe Zydi Basha, Duraj, Lekaj, Mendu Dedja, Rauf Çanga, Çesk Ndoja, Saba Bizi, Esat Rakiqi, Plumbini, Iesmet Hoxha dhe Lek Koçobashi. Trajnerë Xhevdet Shaqiri dhe Xhelal Juka. Dy qytetarë të paharrueshëm të Shkodrës. “Vllaznia”, prapë ka pritur shtatë vjet.
Deri te viti 1979, kur do të fitonte Kupën e tretë. Finalja “Dinamo” – “Vllaznia”, 1-1 e 1-2. Janë dy ndeshje të rralla, që datojnë më 11 dhe 18 shkurt 1979, 1-1 në Tiranë (Laun Vukatana, Shyqëri Ballgjini) dhe 2-1 për shkodranët, në kthimin e stadiumit, që quhej “Vojo Kushi”, mbas plot 120 minutave lojë. Shënojnë Medin Zhega e Luan Vukatana. Ishte kjo Vllazni: Boshnjaku (Sukaj), Lutfi Basha, Suat Duraj, Seit Çanga, Hysen Dedja, Sabah Bizi, Luan Vukatana, Ferit Borshi, Astrit Hafizi, Selami Gruda, Gim Paçrami, Medin Zhega, Axhani, Roland Luçi. Trajnerët, ishin Xhevdet Shqiri dhe Ramazan Ragami. Për Kupën tjetër, “Vllaznia”, nuk do të priste shumë gjatë. Vetëm dy vjet. Është viti 1981. “Besa” – “Vllaznia”, 2-1 dhe 1-5. Këto janë ndeshjet e finales.
Shihet që fati i blaton po “Besën”, e dramës së 1972-shit. Finalet i takojnë ditëve 10 dhe 14 qershor, 1981. Edhe këtu, ngjashmëri thuajse e pagabueshme, me atë çka kishte ndodhur në duelin Kavajë – Shkodër, në 1972-in. Në Kavajë, 2-1 për “Besën”. Në Shkodër, 5-1 për “Vllazninë”. Janë; Gjergji Kushe, Ferit Rragami, Seit Çanga, Hysen Dedja, Suat Duraj, Sabah Bizi, Millan Vaso, Bardh Jera, Luan Vukatana, Selami Gruda, Roland Luçi, Gim Paçrami dhe Axhani…! Për të mbërritur te Kupa e saj e pestë, “Vllaznia”, duhej të pushonte për 6 vjet. Kundërshtari i finales, është “Flamurtari” i vitit 1987, – qysh të dielën, që shkoi skuadër e Kategorisë së Tretë – po që për Vlorën, e asokohe më i fuqishmi, në histori (‘Barcelona’).
Humbet 3-0, në Shkodër (Ferit Rragami 69’, Pashaj 83’, Briza 88’). Kthimi, dukej punë e një vizitë kortezie. Mirëpo, në minutën e 53-të, rezultati do të shkonte çmerisht, në 3-0, për vlonjatët (Vasil Ruci 16’, 62’, Agim Bubeqi 53’). Askush nuk mund ta parashikonte, golin e Ferid Rragamit, mbas një gjuajtje të rrufeshme të tij në minutën e 78-të’, teksa shihej në fushën e lojës, një “Vllazni”, thuajse e dorëzuar. Ndodhi. Dhe 3-1. Kupa e pestë për të, kishte këta emra: Agim Maliqati, Hysen Zmijani, Hysen Dedja, Ferit Rragami, Semaj, Pashaj, Laçja, Briza, Roland Luçi, Lulzim Bërsheni, Bushati, Luan Vukatana, Nikolin Thana, Barbullushi, Bardh Jera, Lika, Shaba, Faslli Fakja dhe Kepaj. Ishte Kupa e parë e trajnerit të ri Astrit Hafizi.
Kjo ka qenë Kupa historike e vitit 1987. Historike, sepse në pjesëmarrjen e saj në Kupën e Europës, ajo do të shkaktonte shumë trazime: gjatë udhëtimit në Finlandë, arratisen Lul Bërshenit dhe portierit Arvit Hoxha. Mesfushori plot talent, Bërsheni, përveç të tjerave i Shqipërisë së 21-vjeçarëve, do të bëhej i pari lojtar shqiptar i Mbas luftës, i cili do të luante me një klub perëndimor (Panionios i Athinës).
Partia, dënon pa mëshirë, skuadrën shkodrane dhe ajo mbetej Kupa e fundit nën regjimin komunist, e “Vllaznisë” së Shkodrës. Ishte një fund, që do të zgjaste plot 21 vjet. Do të duhej të vinte shekulli XXI. 7 maj 2008. Edhe në këtë rast, ishte një mposhtje po e kryeqytetit: “Vllaznia” – “Dinamo” 4-0 e 3-0 dhe finalja në Elbasan: 2-0, me Sport Klub “Tiranën” (Lika 3’, Sukaj 39’) më 7 maj 2008. Një finale, që gjykohej prej një gjyqtari të huaj: Babak Rafati, nga Gjermania.
Dhe një “Vllazni”, me trajner të huaj, Dervish Hadziosmanoviç, nga Mali i Zi, me të cilin “Vllaznia”, ishte bërë kampione e Shqipërisë, 7 vjet më parë. Emrat e fituesve, janë të pashlyeshëm: Admir Grima, Leandro, Kraja, Ahi, Ars.Beqiri, Vuçaj, Nallbani, Lici, Teli, Osja, Delain, Sinani, Kaçi, Sukaj, Lika, Hoti, Kotrri, Kapaj, E.Beqiri, Jusufi, Doçi, Hasani, dhe Rraboshta…! Kjo ishte Kupa e pare, që fitohej në historinë e Shqipërisë, me një trajner të huaj. Dhe do të vinim përsëri, tash mbas 13 vjetëve, te një trajner i huaj. Po një sllav, për kah kombësia, por një gjerman, për kah identiteti europian i tij.
Është Thomas Brdaric – më parë lojtar i kombëtares së Gjermanisë. Për një çast, kjo Kupë më duket se përngjason me atë të vitit 1972. Them kështu, ngaqë më 1972-in, “Vllaznia” ka fituar edhe Kupën edhe kampionatin. E, sivjet, prapë në njëfarë mënyre, ajo ka “fituar” edhe Kupën edhe “kampionatin”. Ndonëse kampionatin nuk e ka fituar. E ka fituar “Teuta” e Durrësit. Por, edhe kështu, krejt papritmas, viti 2021, bëhet edhe ai historik për “Vllazninë”. Historik për dyfishin e suksesit: nënkampione – thuajse kampione – dhe fituese e Kupës së Shqipërisë.
Merreni me mend për një çast: ka kryesuar 22 javë prej të 36-ave të kampionatit, deri aty saqë, në javën 17, ka qenë 9 pikë përpara “Partizanit”, të vendit të dytë! Mirëpo, mbeteshin edhe plot 19 javë, për t’u luajtur. Dhe puna mbërriti deri aty, sa që në emisione televizive, nuk flitej për gjë tjetër, veç për rrëzimin e “Vllaznisë”. Mbas kësaj goditjeje, mediatike, askush nuk fliste më për të. Mirëpo, m’û në këtë çast, nis sulmi i dytë shkodran: 1-0 në Ballsh, 1-0 “Kastriotit”, 1-0 “Partizanit” në Tiranë, dhe kryesuese edhe ajo me 63 pikë, së bashku me “Teutën”, vetëm 90 minuta, para mbarimit! Ishin tre “1-0”, të paharrueshëm.
Praktikisht, brenda 5 ditëve, 21-26 maj, 2021, skuadra e Shkodrës, kishte flakur tej dy pretendentë, të cilët sigurisht kishin harruar se kjo, që ua hiqte atyre pa mëshirë, çdo mundësi për titullin, ishte skuadra e cila, kishte kryesuar 22 javë të kampionatit. Kaq. Dhe “Teuta”, 66 pikë, me golat 42-16, “Vllaznia”, po 66 pikë, me golat 44-22. Kampione, nuk shpallet skuadra me numrin më të madh të fitoreve (19), as me numrin më të madh të golave të shënuar (44), që ishte skuadra shkodrane, por shpallet skuadra, me golavarazhin më të mire, +26, përballë + 22 të shkodranëve dhe me numrin më të vogël të humbjeve – “Teuta” e merituar e Durrësit. Asnjëherë Kupa, nuk ka qenë kaq fort e lidhur, me luftën për titullin kampion. Për “Vllazninë”, fitimi i Kupës kësisoj, ishte një zgjatje e vetvetishme e, “fitimit” të titullit kampion.
Duke shkuar mandej, te ndeshjet e saj të Kupës, te rezultatet e saj, befas, ndodhemi përballë një rekordi unik, në krejt historinë 82-vjeçare, të të gjitha edicioneve të Kupave të Shqipërisë. Kështu, ngaqë “Vllaznia”, bëhet, deri më sot, skuadra e vetme që e fiton Kupën e vitit 2021, duke i fituar të gjitha ndeshjet dhe duke mos pësuar asnjë gol. Emrat e fituesve, janë: Zogovic, Imami, Adili, Gurishta, Isaevski, H. Marku, Dilaver, A. Hoxhaj, Da Silva, Krymi, Avdiaj, Kruja, Shehi, Kalaja, Isufi, Kalezic, Jonuzi, Dunga, Nya-Vedji, Cisse, Lekaj, Mandiangu, Ramadani dhe Çoba. Trajneri, është Thomas Brdariç, të cilit, me sa dukej, ia mësoi “stilin e shkodranishtes” së futbollit, një fitues i viteve të mëparshëm, sot trajneri i dytë i skuadrës, Elvis Plori.
Me sa u pa, edhe duke e “sqaruar”, ndërkaq një kroato -”shqiptar”, me emrin Matko Diarmatti, nga Rijeka – drejtori simpatik i “Vllaznisë”, më parë futbollist i disa klubeve, në kampionatin e Shqipërisë. Kjo ishte “Vllaznia”, e një kolektiviteti të rrallë, që përherë ka qenë karakteristikë e futbollit të saj, çka për çudi, u përvetësua prej një “Vllaznie”, të sotme “poliglote – shumëkombëshe”. Deri aty saqë, nga 15 lojtarët e ndeshjes finale, me “Skënderbeun”, vetëm 3 lojtarë, ishin të dalë prej “Vllaznisë” (Gurishta, Krymi, Kruja). 12 të tjerët, nuk i ka lindur dhe as i ka formuar Shkodra.
Por, “Vllaznia”, iu ka blatuar atyre fanellën e saj të çmueshme, që i ngjiti në nën kampionë dhe fitues të Kupës së Shqipërisë. Kjo, është absolutisht Kupa e parë shkodrane, me më pak shkodranë, në histori. Është fryt i globalizimit edhe të futbollit të sotëm. Katër prej tyre; (Adili, Kalezic, Dilaver dhe Avdiaj), kanë arritur deri te fanellat e kombëtarëve; 17, 19 dhe 21 vjeç, të Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Bosnjë-Hercegovinës dhe Zvicrës, çka e përforcon tejet natyrën “europiane” të kësaj Vllaznie 2021. Është e qartë se aty, sa në skenë dhe po aq në mbrapa skenë, është një personazh tjetër i rëndësishëm: “presidenti” Alban Xhaferi, pa të cilin nuk do të mund të formohej thuajse rrufeshëm, kjo Vllazni – fitimtare.
Them rrufeshëm, sepse në vitin 2019, ishte skuadër e Kategorisë së Dytë dhe në vitin 2020, ishte skuadra e ndeshjes, për të rënë apo për të qëndruar në kampionatin e kategorisë parë kombëtar. Dhe vetëm mbas 12 muajve të këtyre dy “tragjedive”, skuadra e Shkodrës është nënkampione dhe fituese e Kupës së Shqipërisë!
E pritën para Bashkisë, të stilit vjenez, shkodranët e saj deri në mesnatë. Dhe prapë, më duhet të shkoj te përcaktimi “Sportisti i Shkodrës”. Kjo është Vllaznia edhe e kryetares së Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, bijë e të paharrueshmit Vehbi Ademi – figurë e madhe e basketbollit dhe e volejbollit të Shqipërisë. Kjo është Vllaznia qytetare që edhe Shqipëria, e don fort. Ashtu siç don fort edhe ajo miqtë e saj të vjetër, me të cilët ka themeluar sportin e futbollin qytetar, në Shqipëri: Tiranën e Durrësin, Korçën e Vlorën, Elbasanin e Kavajën, Gjirokastrën e Beratin, Fierin e Lushnjën, prej të cilëve, plot shtatë nga këto qytete, janë flakur tej në Kategorinë e Dytë, thjesht për shkak, të një organizimi shkatërrues të kampionatit të Shqipërisë. E tash me Vlorën, në Kategorinë e Tretë!
Kjo ishte një ese për futbollin qytetar, për sportin qytetar. Përmes këtyre radhëve, isha dhe ishim me “Sportistin e Durrësit” dhe me “Sportistin e Shkodrës”. Dhe për një çast, më pushton nostalgjia ose malli, siç thuhet në shqipet. Më duket sikur; kanë mbetur vetëm këta të dy…! E pra, cila është pesha e sportit dhe e futbollit qytetar në Shqipërinë e sotme?!