Nga Namik MEHMETI

Kjo foto ku janë fiksuar dy fotbullistë me emër në historinë e futbollit shqiptar, Esat Bushati Shkodrani me fanellën e Partizanit dhe dinamoviti Hysen Verria, daton më 22 mars 1953, pra 66 vite më parë. Esat Bushati, sot në moshën 90 vjeçare nuk “e tradhëton” kujtesa kur thotë se në këtë përballje Partizani- Dinamo kemi fituar 3-1.

Bushati ashtu siç ka luajtur për vite të tëra me Vllazninë në rolin e mbrojtësit të krahut, edhe me Partizanin po këtë rol ka demostruar për dy vite,duke gjetur në këtë ekip dy shkodranë të tjerë, Loro Boriçin dhe Simon Dedën.

Në këtë duel historik të kryeqytetit, Bushati ishte i pakalueshëm, edhe pse një tjetër shkodran- Hamdi Bakalli ishte kundërshtar i tij me simbolin e Dinamos.Kjo fitore ka për shënues golash L.Boriçin (’25), R. Resmja (’43), H. Bakalli (’45) dhe H.Arbana (Mema) në minutën e 72-të, i pari i “dinastisë” Mema.

Por Esati kujton po me aq siguri kur pas dy javësh ai do të ishte me këtë uniformë në fushën e vjetër të futbollit në Shkodër (sot shkolla mekanike “Arben Broci”), përballë ekipit të tij të zemrës- Vllaznisë, por tashmë me emrin “Puna” e Shkodrës.

Duke shfrytëzuar “Historinë e Kampioneve të Shqipërisë” nr.4 të gazetarit të shquar Besnik Dizdari, për të shuar kureshtjen e lexuesit të “Shkodra Sport”, po japim dhe formacionet e takimit të datës 5 prill 1953 të ndeshjes “Puna” Shkodër- Partizani:

Puna Shkodër: Metani, K. Gjoni, M.Dibra, Smaja, Gjeloshi, Shkreli, Juka, Z.Cungu, Spahija, Medja, Kraja.
Partizani: Maliqati (Sh.Boshnjaku), E.Bushati, Spahiu, F.Vogli, Haxhiu, Deliallisi, Murzaku, Arbana (Merja), Boriçi, Resmja, Deda.

“Si sot kujtoj entuziasmin e tifozërisë shkodrane dhe ne katër shkodranët e Partizanit, unë, Loro Boriçi, Sheuki Boshnjaku e Simon Deda, u dorëzuam plotësisht edhe pse ishim kryesues të kampionatit dhe më vonë kampionë”- kujton Esat Bushati.

Të katër golat e ndeshjes i shënuan shkodranët, duke detyruar portierin Maliqati t’i lërë portën shkodranit Sheuki Boshnjaku, pas golit të Krajës (37′). Loro Boriçi më pas vendos barazpeshën duke shënuar në pjesën e dytë (’65). Por shkodranët nuk përmbahen dhe mbrojtja e jonë u thye edhe dy herë të tjera.

Fillimisht nga Muhamet Dibra me 11-metërsh dhe më pas nga Zija Cungu, një qendërsulmues tipik që e çoi rezultatin në 3-1. Me këngu, i cili u nga shumë shpejt nga futbolli. Kjo pasi ai pas një incidenti në burg (ku ne e prisnim që ai të dilte nga burgu), ndoshta nga sedra pasi ishte një djalosh me shumë personalitet e me prejardhje të një familje të njohur qytetare në Shkodër, ai kaloi në vetëvrasje.

Shkodra me këtë fitore të merituar 3-1, festoi nga fusha e vjetër e sportit deri tek Lulishtja Popullore me thirrjet “Vllaznia, Vllaznia”- kujton veterani i futbollit Esat Bushati.