Një nga sulmuesit më të mirë të Vllaznisë së viteve ’80, Ilir Kepa, ka qenë ndër të parët që u largua nga Shqipëria me ndryshimin e sistemeve. Pas ndeshjes Francë- Shqipëri, në mars të vitit 1991, ai vendosi të mos kthehej në Shqipëri por u vendos në Belgjikë, vend ku jeton edhe sot pas 29 vitesh.

Ishte vetëm 25 vjeç kur mori këtë hap të rëndësishëm dhe kuptohet që objektivi i tij ishte për të luajtur futboll edhe në këtë vend. Drejtuesit e RëD Molembeb, ekip i Superligës belge, i ofroi menjëherë një vend dhe kontratë dhe sulmuesi i kombëtares shqiptare dhe Kepa shumë shpejt u shndërrua në lider të kësaj skuadre.

Me lojën dhe golat e tij, u bë idhull edhe i tifozëve të kësaj skuadre, por në vitin e tretë të kontratës, gjithçka u prish. Ka mjaftuar vetëm një intervistë e gabuar dhe këtu karriera e tij do të merrte fund. E ka shpjeguar vetë Kepa këtë çfarë i ka ndodhur në një rrëfim për “Shkodra Sport” kur është shprehur:

“Si fillim karriera ime në Belgjikë ka qenë shumë e mirë. Por pas disa viteve atje ku ndihesha në formë të shkëlqyer, isha shndërruar në një lojtar të rëndësishëm për Molembek, unë bëra një intervistë të gabuar kundër trajnerit dhe kundër klubit. E bëra si puna e të riut.

Trajneri më la dy ndeshje në stol ngaqë rendimenti im në fushë kishte rënë pak, por kjo gjë nuk më pëlqen dhe e shpreha edhe në intervistë. Kritikova rëndë trajnerin dhe klubin ngaqë nuk po luaja ndërkohë që tifozët kërkonin të më shihnin në fushë. Trajneri nuk mendonte kështu dhe më uli në stol. Kjo intervistë më kushtoi karrierën. Më thirri trajneri dhe presidenti I klubit dhe më thanë se ajo çfarë kisha deklaruar unë në media, nuk kishte ndodhur kurrë më parë në 70 vite histori të këtij klubi.

U tregova shqiptar I vërtetë, rusjan I paedukatë (qesh). Klubi më bllokoi kartonin blu që ekzistonte në atë kohë, pra kartonin e transferimit duke mos më lejuar të largohesha nga Molembeku. Në atë kohë më kërkonin nga Italia, pikërisht drejtuesit e Askolit, më kërkonte Benfika, Azeta e Hollandës, Valencien I Francës, AEK I Athinë në Greqi e shumë ekipe të tjera.

Por drejtuesit e klubit nuk pranuan kurrsesi që unë të largohesha, thjesht u detyrova të huazohesha në kategorinë e dytë në Francë. Këtu filloi tatëpjeta e karrierës time dhe gjithçka u mbyll jo ashtu si duhet”.
© shkodrasport.com