Data 13 prill e vitit 2014 do të mbesë gjatë në kujtesën e saj. Por edhe në arkivat e futbollit të femrave në Shqipëri. Futbollistja e ekipit “Juban Danja” Emanuela Jaku, brenda 90 minutave të një ndeshje arriti të shënonte plot 19 gola!!! (Në atë kampionat, Emanuela Jaku shënoi plot 41 gola)
Në pamje të parë diçka e pamundur por ky është realiteti dhe kjo tashmë ka hyrë në histori. Ka ndodhur në ndeshjen Juban Danja- Apolonia të fituar nga e para me rezultatin 23-6.
Sulmuesja shkodrane ka arritur ta dërgojë topin në rrjetën e portës fierake çdo 4.7 minuta lojë dhe kuptohet që e ka arritur edhe falë ndihmës që i ka dhënë i gjithë ekipi dhe për këtë arsye, ajo ka rregjistruar këtë shifër me të cilën ka hyrë në historinë e futbollit të femrave në Shqipëri.
Ndoshta edhe më gjerë sepse shqiptaret tashmë po shkruajnë historinë e tyre në futboll. Ditën e djeshme kemi publikuar lajmin se Megi Doçi është shpallur shënuesja më e mirë në botë për vitin 2018 me 86 golat e shënuar.
Emanuela Jaku padyshim që do të ketë qenë ndoshta kandidate edhe për rekordet “Guinnes” me këtë shifër prej 19 golash të shënuar në një ndeshje futbolli.Ndonëse tashmë i ka dhënë fund futbollit të luajtur, ajo e ka shkruar emrin në “librin e artë” të futbollit shqiptar.
Ka nisur të merret me futboll që në moshën 12 vjeçare, në vitin 2005, atëherë kur babai i saj, Ferdinandi, krijoi ekipin e parë të futbollit të femrave në Shqipëri- “Juban Danja”.
Dhe Emanuela ishte aty që nga ai moment dhe deri pas 10 vitesh, moment kur vendosi të emigronte drejt Anglisë bashkë me bashëshortin e saj, gazetarin sportin Anton Zalli. Gjate ketyre viteve ajo ka qene edhe futbolliste e ekipit kombetar shqiptar.
Ajo në fakt ka edhe një tjetër të veçantë: Ka marrë ndër të parat femra në Shqipëri liçensën e trajneres dhe e ka ushtruar madje këtë profesion në momente të caktuara duke drejtuar ekipin “Juban Danja”.
Gjergj KOLA