Vllaznia është kryesuesja e Kategorisë Superiore pas tetë javësh kampionat. Të besuarit e trajnerit Tomas Brdariç kanë një ecuri që askush nuk e kishte menduar. Madje as më optimisti në Shkodër nuk e kishte menduar se kuqeblutë do të kishin këtë ecuri në tetë javët e para të kampionatit të 82-të të Kategorisë Superiore.
Shkodra është djepi i futbollit shqiptar, por tifozët janë të uritur për një trofe, pasi titulli i fundit kampion daton para dy dekadash, pikërisht në sezonin 2000- 2001. Po të shikosh ecurinë e Vllaznisë aktuale me atë që kampionët e fundit arritën në tetë javët e para, del se të besuarit e trajnerit Brdariç i kanë të dhënat më mirë se skuadra e drejtuar asokohe nga malazezi Dervish Haxhiosmanoviç. Vllaznia aktuale në tetë javë e para ka grumbulluar 19 pikë dhe kryeson renditjen me 6 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje, si dhe me golavarazh 14-6.
Ndërsa skuadra shkodrane, që u shpall kampion para 20 viteve, në tetë javët e para të kampionatit kishte grumbulluar 14 pikë, me 4 fitore, 2 barazime dhe 2 humbje, si dhe me golavarazh 13-7. Po të bësh krahasimet e këtyre dy skuadrave pas tetë javësh del qartë se Vllaznia e trajnerit Brdariç i ka të dhënat më të mira se kuqeblutë e sezonit 2000-2001.
Vllaznia e këtij viti ka 5 pikë më shumë se kampionët e fundit. Katër ishin fitoret e skuadrës së trajnerit Haxhiosmanoviç në 8 javët e para të kampionatit, përkundrejt gjashtë sukseseve të skuadrës së trajnerit Brdariç. Edhe golavarazhi është në anën e skuadrës aktuale, e cila në tetë javë ka shënuar një gol më shumë se kampionët e fundit shkodranë, si dhe kanë pësuar edhe një gol më pak se ai ekip i edicionit 2000-2001.
Pa dyshim tek ecuria pozitive e Vllaznisë së këtij edicioni ndikon paraqitja e mirë që ekipi ka pasur në transfertë. Nga 8 takime të luajtura deri tani, tre janë zhvilluar në transfertë, ku kuqeblutë kanë marrë dy fitore, me Skënderbeun dhe Kastriotin, si dhe kanë barazuar 0-0 me Teutën.
Në këto 3 ndeshje jashtë fushe kuqeblutë nuk kanë pësuar asnjë gol, ndërsa kampionët e fundit hasnin vështirësi në transfertë në startin e sezonit, pasi në 4 transferta kishin 1 fitore në Korçë, 1 barazim në Lezhë dhe 2 humbje, me Tiranën dhe në Lushnjë.