Kampioni dhe rekordmeni Gëzim Dimnaku zanafillën e sportit të atletikës e kishte nga qyteti i Shkodrës. Që në moshën 9 vjeçare në shkollat sportive të qytetit të Shkodrës ai dallohej në shumë sporte si futboll, basketboll e volejboll. Fillimet e para dhe rekordet në atletike i pati që me moshat e reja me ekipet zinxhirë të Vllaznisë.
Në vitet ’80 ishte trajneri i ekipit kombëtar, i mirënjohuri Feti Dizdari që ngulmonte se Gëzimi do të bëhej një kampion e rekordmen i së ardhmes, duke e pare si një talent i kohës që në moshë të re në shumë gara dhe, konkretisht në shumëgarësh, vrapim me pengesa, kërcim së gjati e trehapësh.
Më vonë nën drejtimin e trajnerit e atletit të mirënjohur Hysni Bebeziqi, Gëzimi shpallej për herë të parë kampion i Shqipërisë për të rritur që në moshë të re 18 vjeçare me ekipin e Vllaznise me një rezultat fantastik në trehapësh 15.25 metra.
Që atëherë, duke dominuar në Shqipëri në garat e trehapëshit dhe të kërcimit së gjati ku numëron 7 herë rradhazi kampion absolut i Shqipërisë në kërcim së gjati e trehapësh si dhe 7 herë fitues i Kupës së Shqipërisë në atletikë, po në disiplinat e kërcimit së gjati dhe trehapësh deri në vitin 1997 ku ai largohet nga Shqiperia për në Gjermani.
Kurse në aktivitete ndërkombëtare është dy herë fitues i medaljes së bronztë në Kupat e Europës (Europian Champions Ligue Team) në kërcim trehapësh, në Athinë dhe Stamboll. Por Gjermania ishte vendi ku Gëzimi arriti të gatuajë dhe të thyejë rekordin kombëtar të Shqipërisë në trehapësh për salla të mbyllura edhe pse në moshën 31 vjeçare.
Dy herë brenda 2 muajsh, Dimnaku arriti të thyejë rekordin kombëtar shqiptar me 15.71 metra në vitin 2003 në Dortmund të Gjermanisë dhe një muaj më vonë ai e barazon rekordin kombëtar të mbajtur po prej tij në trehapësh me 15.71 metra me ekipin kombëtar shqiptar në Kampionatin Ballkanik në Athinë, rekord i cili edhe sot e kësaj dite mbetet i pathyer.
Ishte trajneri i mirënjohur ukrainas Sorin që revolucionarizoi teknikën dhe performancën e tij të trehapëshit në Gjermani (Dortmund), aty ku ai ishte nën kontratë sportive me ekipin e Dortmundit i cili duke parë edhe talentin e vendosmërinë e atletit shqiptar në stërvitje, premtoi se Gëzimi do arrinte mbi 16.50 metra në trehapësh.
Tre muaj më vonë, edhe pse me një traumë të përsëritshme në kaviljen e djathtë, ku doktori i ekipit nuk i dha të drejtën për të vazhduar garat sportive, shkodrani Dimnaku arrin rezultatin 15.93 metra në trehapësh në Mitingun Europian të Weselit- Gjermani në vitin 2003 duke fituar medaljen e bronztë në mes atletëve më të mirë të Europës. Rezultat ky që ishte rekord kombëtar shqiptar zyrtar në tartan për stadium të hapur.
Për këto rezultate, Federata Shqiptare e Atletikes e ka nderuar Gëzim Dimnakun me titullin “Nderi i atletikës shqiptare”. Profili i një atleti që sfidon rekordet do të zgjohej dhe në emër të kurajos së nënës së tij. Gëzimi do të rikthehej në sportin e atletikes në vitin 2014 mbas një traume të shpeshtë në kaviljen e djathtë ku doktorët nuk i dhanë shanse të vazhdonte performimin në trehapësh, por ai do shfaqte edhe njëherë talentin dhe mjeshtrinë e tij, por këtë herë me ekipin kombëtar Kanadez, duke fituar medaljen e bronzit në kërcimin së gjati në kampionatin botëror që u zhvillua në Budapest për kategorinë “Masters”.
Një sfidë e ndërmarrë për të mbështetur nënën e tij në luftë me tumorin. Në 2017 Dimnaku fiton medaljen e dyte të bronzit në Kampionatin Botëror në trehapësh për salla të mbyllura, kampionat ky që u zhvillua në Korenë e Jugut (Deagu) dhe po në verën e 2017, merr medaljen e artë dhe shpallet kampion i Amerikës së Veriut në garën trehapësh për kategorinë “Masters” (Toronto) për stadiume të hapura.
Në vitin 2014 dhe 2017 Gëzim Dimnaku është nderuar dy herë me çmimin “Atleti i vitit” për Provincën e Albertes nga Federata e Atletikës së Albertes si dhe nga klubi i atletikës “Calgary Spartans” me award prize për rekordet kombëtare e medaljet e shumta ndërkombëtare të fituara me ekipin kombetar kanadez.
Ai vazhdon sfidat sportive edhe sot në moshën 47 vjeçare ku para 2 muajsh arriti të thyente rekordin e provincës së Kebekut në shumëgarësh (penthatlon) në kategorinë Masters duke inspiruar të rinjtë sportistë në Kanada dhe për të qëne një ambasador i sportit këtu në Diasporë. Ky ishte profili i një sportisti kampion dhe rekordmen në shumë vende të botës për rreth 35 vite karrierë të pasur sportive që zanafillën e kishte nga Shkodra sportive.
“Gjithë këto trofe që kam fituar, tituj, medalje e rekorde që kam arritur gjatë karrierës time, ia dedikoj prindërve të mi, Shkodrës sportive dhe Shqipërisë, aty ku fillova hapat e parë të kësaj karriere”- thotë në një prononcim të shkurtër për “Shkodra Sport” protagonisti i këtij shkrimi Gëzim Dimnaku.Dhe në fakt ia vlen të shkruash për këtë kampion. Ka fituar mbi 50 medalje ndërkombëtare, që nga Shqipëria, Gjermania dhe deri në Kanada, në një karrierë 35 vjeçare si sportsist, karrierë e cila vazhdon
Gjergj KOLA