Skuadra shkodrane e pëson sërish. Edhe në Durrës ndaj Teutës pasditen e sotme është përsëritur e njëjta histori. Gabime në mbrojtje që rezultojnë fatale dhe më pas, gabime në sulm, çka të çojnë tek humbja e rradhës. Këtë herë 0-1 ndaj një prej skuadrave rivale dhe Vllaznia mbetet sërish në vendin e parafundit në renditje me vetëm 6 pikë të grumbulluara në 10 ndeshje të luajtura.Ndeshja nis mirë për vendasit të cilët e shohin veten në avantazh që në minutën e 15-të.

Mbrojtësi Marku nuk largon siç duhet një top nga zona dhe nga kjo përfiton Çyrbja i cili gjuan saktë duke e dërguar atë në rrjetë. Një gol që i gjen të papërgatitur shkodranët që gjithsesi mundohen të reagojnë dhe në fakt kanë mundesi që të barazojnë pesë minuta më vonë. Çinari brenda zone ka mundësi të barazojë shifrat por gjuajtja e tij përfundon ngjitur me shtyllën e djathtë pingule të portës durrsake. Pas këtij rasti, ka përpjekje nga të dy ekipet por nuk do kishte gol tjetër deri në fundin e pjesës së parë. Në limitin e saj në fakt Orelesi pretendoi për një 11-metërsh në favorin e tij por në fakt arbitri Alla e ka ndëshkuar me karton të verdhë për simulim. Në fillimin e pjesës së dytë është Atsina që në minutën e 48-të ka mundësi te shënojë por gjuan keq mbi traversë por ka mundësi edhe të pasojë tek Çinari por nuk e bën këte. Një tjetër shpërdorim që padyshim do të ndikonte në rezultatin e ndeshjes. Me kalimin e minutave trajneri Gjoka bën edhe lëvizjet në pankinë duke futur në lojë fillimisht Bardullën për Tafilin dhe më pas Ribajn për Likën. Objektivi është për të forcuar manovrën sulmuese dhe në fakt është Vllaznia më shumë ngulmuese në pjesën e dytë por i mungojnë rastet. Minutat kalojnë dhe mungesa e golit sjell tension tek kuqeblutë që nuk kanë qetësinë e duhur në zonën kundërshtare. Përfundimisht 1-0 për Teutën që i shkëputet gjithnjë e më shumë fundit ndërsa Vllaznia mbetet në vendin e parafundit.
© shkodrasport.com