Monterrey u shpall kampion Meksike ditën e sotme, duke ia dalë të fitojë titullin për herë të pestë në histori. Festë e madhe te tifozët dhe të gjithë pjesëtarët e klubit. Emocione të forta për të gjithë, sidomos për trajnerin e ekipit. Antonio Mohamed nuk i përmbajti lotët dhe të gjithë menduan se bëhej fjalë për lot gëzimi. Në fakt ishin lot dhimbje, krenarie, malli dhe çlirimi për një betim të përmbajtur.
49-vjeçari nga Argjentina ia kushtoi fitoren e titullit djalit të tij, i cili do jetë gëzuar shumë nga qielli për suksesin e babait të tij dhe ekipit të zemrës. Ishte viti 2006 kur Mohamed fluturoi drejt Gjermanisë për të ndjekur Argjentinën e dashur në Botëror.
Pasi ndoqi çerekfinalen Gjermani-Argjentinë, Mohamed po udhëtonte në një makinë me djalin e tij 9-vjeçar, Ferid dhe disa miq të ngushtë. Në një moment të caktuar, makina e drejtuar nga një 22-vjeçar, që po ecte me 180 km/h, godet atë të Mohamed.
Të gjithë plagosen rëndë dhe gjendja është e keqe. Vogëlushi Ferdi lufton për disa ditë, por nuk ia del të përballojë dëmtimet e shumta fizike dhe humbet luftën me jetën. Në momentin më të tmerrshëm që mund të përjetojë një prind, Antonios i kujtohet premtimi që i kishte bërë Ferid, i cili ishte një tifoz i zjarrtë i Monterrey.
“Një ditë do të stërvit Monterrey dhe do t’i drejtoj drejt fitimit të titullit kampion”, i kishte premtuar babai djalit të tij. Ai premtim u bë qëllimi madhor i jetës së Antonios. Sot, pas plot 13 vitesh e ktheu premtimin në realitet, u ul në pankinë dhe u shkreh në lot dhimbje, malli dhe krenarie, sigurisht duke menduar se ia kishte dalë të lumturonte Feridin e tij. /abcnews/