Nga BESNIK DIZDARI
I them “Kombëtar”, sepse edhe ky stadium kështu u emërtua më 29 mars 2003, kur për herë të parë në histori aty u zhvillua një ndeshje e madhe e Kampionatit Evropian, Shqipëri– Rusi 3-1. Edhe vetëm për këtë ngjarje të papërsëritshme të futbollit shqiptar, stadiumi kombëtar “Loro Boriçi” nuk mund të ketë rival për të qenë ai i pari prej të gjithë stadiumeve të qyteteve të Shqipërisë për të zëvendësuar stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” për ndeshjet e Kombëtares përderisa ky të ndërtohet i ri, siç është marrë vendimi.

Asnjë justifikim “i vogël” si ai që dikush do të thotë se “rindërtimi” i tij kërkoka shpenzime më të mëdha se një stadium tjetër, cilido qoftë ai, nuk qëndron assesi. Aq më pak për Federatën Shqiptare të Futbollit, e cila prej vitesh konsiderohet një Federatë e pasur. E dimë ndërkaq se Shqipëria sportive ka humbur shumë nga kujtesa historike kombëtare. Dhe, për fat të keq, ajo nuk ka rend mendimesh, meritash, suksesesh, e aq më pak ka rend historik të zhvillimit të sportit kombëtar. Dihet se stadiumi i parë i ndërtuar i Mbasuftës në Shqipëri është stadiumi i Shkodrës. Për fatin e çuditshëm, edhe autori i këtij shkrimi ka marrë pjesë si nxënës në ndërtimin e këtij stadiumi, ashtu, krejt në mënyrë simbolike, “me mbledhë gur apo me pastrue”. Sepse puna vullnetare e qytetarëve shkodranë ka qenë kontributi i “punës së krahut” në ndërtimin e këtij stadiumi. Kështu, po i afrohemi mu 60- vjetorit të përurimit të tij. Ka qenë 1 Maj 1952. Java 16 e kampionatit kombëtar të vitit 1952, kur në Tiranë luante Dinamo- Puna e Shkodrës 5-0! Dhe mandej Partizani-Puna e Tiranës 3-0! Siç kam shkruar në librin “Historia e Kampionateve të Shqipërisë (1950-1954)”, të zhvilluara të dyja në këtë 1 maj 1952, nga ora 14:30, dhe të përfunduara përtej orës 18:30 para 20.000 shikuesve, ky “show” i paparë në futbollin shqiptar paraqet një shpërputhje të çuditshme rezultati dhe golash. Dhe pikërisht në këtë ditë të 1 majit 1952, Partia kërkonte të përuronte në Shkodër stadiumin e parë të Mbasluftës me mënyrën më të papranueshme, përmes një ndeshjeje lokale Dinamo e Shkodrës-Spartak i Shkodrës! Historia e këtij ndërtimi kishte nisur vetëm dy vjet më parë, më 27 maj 1950, në orën 18:30, në prani të rreth 400 qytetarëve shkodranë para portreteve gjigande të Stalinit dhe Enver Hoxhës. Gurin e parë do ta vinte, asokohe numri 2 i pushtetit komunist, zëvendëskryeministri dhe sekretari i KQ të Byrosë Politike të Partisë, Tuk Jakova, shkodran autentik, i cili ashtu drastikisht, siç do të binte forca e skuadrës së Shkodrës në hierarkinë e futbollit shqiptar, po ashtu do të binte edhe pushteti i tij për të mbërritur deri në burgosje e vdekje të parakohshme (1914-1959). Në fjalën e tij zyrtare në atë 27 maj 1950, shkëlqente kjo tiradë e kohës: “Stadiumi i Shkodrës, – tha Tuk Jakova, – është një vepër paqeje e qeverisë dhe popullit tonë, një qendër vëllazërimi dhe bashkimi, shkollë për përgatitjen e një rinie të fortë, të shëndetshme e të gëzuar”. Këto ishin fjalët shembullore (emblematike) të Tuk Jakovës, për të cilin asokohe u tha se vetë ai kishte qenë nxitësi i parë për t’i dhënë Shkodrës një stadium. Kur do ta rrëzonte Enver Hoxha, nuk do ta kursente assesi edhe me sulmin si lokalist shkodran mu këtë Tuk Jakovë të majës së pushtetit e të Partisë, komisari legjendar i Brigadës së Parë Sulmuese në Luftën Antifashiste, Hero i Popullit. Kështu niste historia e stadiumit të parë të ndërtuar në Shqipërinë Komuniste, të cilit do t’i vihej emri i Vojo Kushit, Hero i Popullit nga Shkodra, në të vërtetë një sportist i mirë i Gjimnazit të Shkodrës, i rënë në luftën për çlirim mbas një qëndrese heroike të tij në një rrugë të Tiranës. Për të mbërritur kështu brenda dy viteve te përurimi i 1 Majit 1952, kur Llazar Lipivani, kryetar i Komitetit të Kulturës Fizike e Sporteve pranë Këshillit të Ministrave, pret shiritin. Projektuesi dhe drejtuesi teknik i punimeve, i paharrueshmi Irfan Tërshana, para luftës pedagog i edukimit fizik i gjimnazit të Shkodrës, është megjithatë në qendër të vëmendjes edhe ai me fjalën e tij. I ngritur në vetëm pesë shkallë, me një kapacitet afro 10.000 vendesh, me një terren mjaft të mirë për kohën, e vërteta është se ky stadium i ndërtuar edhe me kontributin vullnetar të banorëve të Shkodrës do të mbeste me kaq për mbi 35 vjet të tërë. Kam qenë i pranishëm në atë përurim si qindra nxënës të Shkodrës, që disa herë kishim vënë çuditërisht edhe ne gurin tonë në themelet e tij! Për fat të keq, paksa edhe mbi varrezat e vjetra të qytetit, të zhdukura tashmë. Spektatorët uleshin mbi tribunat me gurë varresh, ku dalloheshin deri vonë epitafet me fjalë turke apo arabe. Një vepër kulture ishte ngritur duke shkatërruar një histori dhe një kulturë të vjetër së bashku. E rëndësishme ishte se tash Shkodra do ta linte Fushën e saj të Vjetër, të sukseseve të bujshme, për të ardhur te stadiumi i saj, po për habi të madhe për të rrëshqitur në humbjet e saj që nuk do të ndalnin përtej më shumë se një dekade… Ky pra ishte stadiumi i parë i Shqipërisë Komuniste. Përse Partia kishte vendosur t’ia niste ndërtimeve të stadiumeve me Shkodrën? Sot, në qetësi të plotë, nuk vonojmë shumë t’i japim përgjigje kësaj pyetjeje. Në dukje të jashtme, Shkodra e atij viti përjetonte një farë qetësie “pamore”, mbasi për 6 vjet të tëra të Mbasluftës ajo ishte bërë epiqendër e një persekutimi të paparë. Çudia e madhe do të ishte se stadiumi do të ndërtohej brenda një kohe rekord: vetëm për dy vjet: 27 maj 1950 – 1 maj 1952! E vërteta tjetër fatale do të ishte se simboli i sportit shkodran, Vllaznia, kishte nisur edhe ajo rënien drastike. Vetëm mbas 4 viteve ajo do të rrënohej duke zbritur për herë të parë në Kategorinë e Dytë. U tha se me ndërtimin e stadiumit, Partia donte disi ta merrte me të mirë qytetin, të cilin brenda pesë– gjashtë viteve e kishte drobitur tejet, e kishte burgosur dhe persekutuar pa mëshirë. Për oportunitet politik, ajo donte të bënte megjithatë një gjest në “respekt” të qytetit sportiv, i cili i kishte themeluar Shqipërisë të gjithë sportet, i kishte dhënë ndeshjen e parë zyrtare të futbollit (1913), kishte qenë kampioni i parë i futbollit të Shqipërisë së Mbaslufës (1945, 1946). Në Fushën e Vjetër të tij ishte themeluar Kombëtarja e Shqipërisë në ndeshjen e saj ndërkombëtare, 22 shtator 1946, Shqipëri – Mali i Zi 5-0 me 7 lojtarë shkodranë në 11-sh, me të cilët mbas pak javëve Shqipëria do të bëhej Kampione e Ballkanit. Nga ana propagandistike, Partia kërkonte të pohonte se respektonte vlerat tradicionale kulturore-sportive dhe se stadiumi i parë i Shqipërisë së “Re” i takonte Shkodrës. Dhe kështu u bë. Për një çast më duket se ky shkrim merr fund këtu. Çka çuditërisht do të thotë se mu për të gjitha këto arsye, rindërtimi i pjesshëm, e mandej ndërtimi i plotë i stadiumit kombëtar “Loro Boriçi” nuk mund të ketë rivalë në këtë vit 2012 të 100-vjetorit të Pavarësisë, të 60-vjetorit të përurimit të tij “antik”, të 9- vjetorit të ndeshjes ndoshta më të madhe të Shqipërisë në Kampionatet Eurobotërore (Rusia 3- 1). Në fund të fundit, edhe për gjithçka është Shkodra – themeluese e futbollit kombëtar, madje dhe e sportit kombëtar. Pa harruar kurrë ndërkaq, se ky është stadiumi i Shkodrës, qytetit i cili ka mposhtur deri edhe një Hajduk të Splitit, një Dozha të Budapestit, një Austria të Vjenës, një Dinamo të Tbilisit. Ky është stadiumi që ka regjistruar rastin e vetëm në historinë e Shqipërisë ku një klub ka fituar ndaj Kombëtares së një shteti tjetër: Vllaznia-Algjeria 3-0 më 1976. Ky është stadiumi ku kanë paraqitur rezultatet e tyre të nivelit botëror në atletikë një si Skobla, një Mandlik dhe deri te legjendari Nih Chin Chin. Dhe si përmbyllje: ky është stadiumi, i cili me trajnerin, mjeshtrin, Ramazan Ragami, u ka dhënë kombëtareve të Shqipërisë arritjen më të bujshme të derisotme në historinë e futbollit shqiptar: Shpresa e Shqipërisë midis 8 më të mirave të Evropës: Shkodër. Stadiumi kombëtar “Loro Boriçi”, 1983: Shqipëri–RF Gjermane 1-1 dhe Shqipëri-Austri 3- 0. Ai që njeh mjedisin e tribunave të tij, e kupton se pa këto ndeshje Shqipëria nuk do të çudiste Evropën atë vit 1983… Eshtë stadiumi i Shkodrës ai që me mjediset e tij, falë edhe një sipërmarrjeje të madhe të presidentit të asaj kohe të Vllaznisë, Myftar Çela – promotori i pashlyeshëm i zhvillimit në këtë stadium të ndeshjes Shqipëri–Rusi 3-1 – që tregoi një organizim të shkëlqyer. Mjedise të gjëra e komode të nëntribunave për skuadrat, e ndonëse pa një tribunë mirëfilli shtypi për gazetarët, vendet që u hapen për to në tribunën qendrore, kujtoj se qenë ndër më lehtësueset që ne si gazetarë kemi përjetuar ndonjëherë në një ndeshje të Kupës së Evropës në Shqipëri, çka ky stadium i plotësoi po aq mirë edhe në ndeshjen e lartë të rangut tjetër evropian, Vllaznia- Napoli, për Ligën e Evropës. Të gjitha këto e bëjnë edhe më historik stadiumin kombëtar të Shkodrës, i cili mban emrin e Mjeshtrit të parë të Merituar të Sporteve në Shqipëri, legjendarit për ne, Loro Boriçi. I riprojektuar nga arkitekti i mirënjohur Reshat Koçkiqi, në fund të vitet ’80 të shekullit të shkuar ai u nis për t’u rindërtuar për rreth 30.000 vende. Kur ashtu si më 1950, prapë do të nxitej prej një funksionari të lartë Partie, Muho Asllani, sekretar i Parë dhe anëtar i Byrosë Politike të PPSH-së, por i lënë përgjysmë po nga Partia, e cila, drejt me thënë, me arrogancën e saj u pendua për këtë ndërmarrje duke e quajtur luks. Ishin vitet e fundit të saj… Sot është e pafalshme, për të mos thënë absolutisht e padrejtë, kur papritmas dëgjojmë (nëse është e vërtetë) se rinimi apo rifinitura që kërkoka stadiumi kombëtar “Loro Boriçi” për ndeshjet e ardhshme të Kombëtares, kërkoka shpenzime më shumë se një tjetër. Dhe kush e thënka këtë? (Ne nuk e besojmë!) Federata Shqiptare e Futbollit, më e pasur se kurrnjiherë, e cila falë meritës së saj nuk po lë qytet pa i rindërtuar fusha të reja futbolli – çka përbën një nga arritjet e saj më të mëdha. Federata Shqiptare e Futbollit, madje shteti dhe qeveria, i kanë borxhe të mëdha Shkodrës, qytetit themelues të sporteve në Shqipëri për ndërtimet sportive. Si ka mundësi që në 21 vjet përmbysje të Regjimit, asnjë ndërtim sportiv nuk ka në Shkodër. Eshtë vërtet rast i rrallë në botë, që një qytet pa pistë atletike është Kampion i Shqipërisë në atletikë! Kjo është Shkodra. Ky është shpirti i madh sportiv qytetar i Shkodrës. Dhe, për një çast, të vihet në dyshim për t’u rindërtuar paksa sa për të pritur ndeshjet e Kombëtares në një periudhë kohore të caktuar? E pabesueshme, naive, e papërgjegjshme, e nxituar, e papranueshme. Për të gjitha çka argumentuam, treguam, përsiatëm, faktuam, shpalosëm – stadiumi kombëtar “Loro Boriçi” nuk ka rival në përparësi për të qenë ai dhe vetëm ai, stadiumi i Kombëtares në këto vite të ndërtimit të stadiumit të ri kombëtar në Tiranë. Përveç të tjerave, a nuk e dini se çka është për kulturën, gjakimin (pasionin), etikën, qytetari sportiv i Shkodrës për sportin e futbollin kombëtar?… Nëse nuk e dini, atëherë me keqardhje do të fillonim të bindeshim se punët e futbollit në Shqipëri janë ndër duar të gabuara…