Zeli Ismail është një emër që jo shumë tifozë shqiptarë mund të njohin. Por mesfushori ofensiv i Uollsall cilësohej disa vite më parë si një prej talenteve më premtues në Angli. Jo rastësisht, ai ishte pjesë e përfaqësueseve U16 dhe U17 të Anglisë dhe vazhdimisht nën monitorim nga klubet e mëdha.

Futbollisti i lindur në Kukës, shkoi në moshë të vogël në Angli bashkë me familjarët e tij, në kërkim të një jete më të mirë. “Kam ardhur këtu kur isha 6 apo 7, në moshë të re. Kur erdha nuk flisja anglisht ndaj përfshirja në futboll më ndihmoi shumë.

U larguam nga Shqipëria në kërkim të një jete më të mirë dhe kur erdhëm këtu, fillova të luaja për skuadrat e shkollave, apo futbollin amator. Pastaj më afroi Ulvërhempton dhe aty filloi të vihej në lëvizje gjithçka”, shpjegoi Ismail për mediat angleze.

Me klubin e njohur anglez ai nuk pati shumë sukses dhe për këtë arsye, u dha në huazim në skuadra të ndryshme, për të përfunduar te Uollsall në kategorinë e tretë angleze, ku po luan më me rregullsi. Edhe pse luante më parë me moshat e Anglisë, ai ka treguar se është në kontakte me stafin e përfaqësueses shqiptare dhe se një vit më parë kishte pasur mundësinë t’i bashkohej asaj.

“Shqipëria është munduar të më kontaktojë dy herë. Herën e parë në sezonin e kaluar, por Bëri (ku ishte në huazim) nuk më lejoi të shkoja. Klubi tha se isha i dëmtuar por pastaj më kërkuan të luaja të shtunën. Edhe këtë sezon më kanë dërguar mesazhe disa herë.

Ata thanë ‘vazhdo të bësh atë që po bën dhe shpresojmë që të kesh një tjetër thirrje’. Nëse do të ftohesha për t’i përfaqësuar, do të ishte një moment i suksesshëm për mua”, tha Ismail në intervistën e tij. /vipsport/