Pas disfatës dhe poshtërimit përballë Skocisë në “Loro Boriçi”, Shqipëria e Christian Panuçit do ta mbyllë vitin me një miqësore, atë ndaj një tjetër skuadre britanike. Po flasim për Uellsin e Gareth Bale, që ende nuk dihet nëse do të luajë ose jo.

Pak rëndësi ka kjo, sigurisht, pasi te dragonjtë është kohë eksperimentesh dhe mes tyre do të jetë edhe emri i një futbollisti të ri dhe me prespektivë. Ndoshta anonim për disa, por jo në Angli. Fama e tij, deri tani, ka prekur dy pika: shpejtësinë dhe… zgjedhjen e bërë.

Por, le t’i marrim me rradhë. Cili është futbollisti më i shpejtë i Manchester Cityt? Ndihmë e vogël: as Sane dhe as Sterling. Jo, jo, as Mahrez! Atëherë? Emri që askush nuk pret: Rabbi Matondo.

Pasaporta e tij flet për datëlindjen në vitin 2000, pra vetëm 18 vjeç. Mundësia që të zgjidhte tre kombëtare – diçka e ngjashme me Januzin (Shqipëri, Kosovë, Belgjikë) – por që në fund mori një vendim që habiti këdo. Në Shqipëri, do të vijë pikërisht talenti i “Citizens”, nën urdhërat e Ryan Giggs, që e ka përzgjedhur dhe i ka dhënë shans. Pjesë e Uellsit, pasi refuzoi thirrjen e Anglisë dhe Republikës Demokratike të Kongos.

Një tjetër xhevahir i sektorit të të rinjve të Premier League, që synon të fitojë vendin te Uellsi. Por, si u kuptua që sulmuesi 18 vjeçar ishte më i shpejti i Manchester Cityt. Një test i bërë në 20 metra, te skuadra e Akademisë. Matondo e fitoi bindshëm, por rezultati i tij ishte edhe më befasues, pasi duke bërë krahasimin me ekipin e Guardiolës, ia merrte kujtdo.

Largimi nga Cardiff nuk ishte i lehtë. Matondo konsiderohej si ndër më premtuesit që në kohët e Aaron Ramsey (flasim për fillimin e viteve ’90).

Do të ndizej derbi City-United për të, por në fund ia hodhën Citizens. Vizitoi Manchester Cityn dhe Akademinë, mbeti i mrekulluar.

Frymëzimi? Mbappe i Francës dhe PSG. Te vrapimi jemi njësoj, tani mbetet vetëm talenti!