Sensacioni i Milanit, Francesco Camarda, ka bërë historinë teksa u bë lojtari më i ri në histori të Serie A që ka debutuar pasi këtë e bëri vetëm në moshën 15 vjeçare. Ai u fut në lojë nga banka rezervë në dhjetë minutat e fundit të ndeshjes ndaj Fiorentinës në “San Siro”.

I lindur dhe i rritur në qytetin e Milanit, ai ka shënuar një mori golash për Primaveran me fanellën e “Rossonerëve”, me lojtarë që ishin të paktën dy vjet më të moshuar se ai.

Ai ka shënuar shtatë gola në 13 paraqitje për Milan Primavera këtë sezon, duke përfshirë tre prej tyre në Ligën e të Rinjve të UEFA-së.

Ky rekord mbahej paraprakisht nga lojtari Wisdom Amey i cili aktivizohet në radhët e Bolognas. Amey ishte futur në lojë ndaj Genoas në maj të vitit të kaluar në moshën 15 vjeçare dhe 274 ditë.

Vetëm katër ditë më i madh ishte në debutimin e tij sulmuesi i Genoas, Pietro Pellegri, i cili u aktivizua ndaj Torinos.

Lojtari më i ri që ka debutuar për Milanin deri tani ishte Gianluigi Donnarumma, i cili në moshën 16-vjeçare u zgjodh për të startuar ndaj Sassuolos në tetor të vitit 2015./Telegrafi/