Historike! Sukses i paparë i skuadrave shqiptare në arenën evropiane. Pas Tiranës në raundin e parë të Championsit, është radha e Teutës, Laçit dhe Kukësit për të kaluar turin e parë në Ligën e Europës.

Kurrë më parë nuk kishte ndodhur që të gjitha skuadrat shqiptare pjesëmarrëse në Europë të kalonin njëkohësisht turin e parë.

27 gushti i 2020-ës është për kornizë, pasi tre skuadrat e Kategorisë Superiore kaluan me meritë turin e parë eliminator të Ligës së Europës.

Madhështinë e kësaj nate të madhe të skuadrave shqiptare në Europë ia shton edhe suksesi i dy klubeve shqiptare të Maqedonisë së Veriut, Shkëndija e Tetovës dhe Renova, që arritën të kualifikoheshin, ndonëse luanin në transfertë.

Teuta ishte e para që eliminoi izraelitet e Bietarit, më pas Laçi i falet ruletës së penalltive në Azerbajxhan dhe i fundit është Kukësi që mund 2-1 bullgarët e Slavias së Sofies.