Atletika shkodrane në vite ka nxjerrë nga rradhët e saj shumë sportistë të cilët kanë nderuar ashtu si duhet klubin Vllaznia, Shkodrën por edhe Shqipërinë dhe në mes tyre, padyshim që një vend të rëndësishëm zë edhe Hivzi Kotrri, i cili jo më kot është përzgjedhur si një prej më të mirëve gjatë viteve që ka zgjatur karriera e tij.
Karriera
Hivzi Kotrri ka lindur në Shkodër më 25 Gusht 1932. Si pjestar i një prej familjeve më të vjetra të Shkodrës, në fakt aktivitetin sportiv në atletikë e ka filluar pak vonë, pikërisht gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak në Tiranë gjatë viteve 1952-53.
Pozicionohet tek garat e shpejtësisë, 100 dhe 200 metra dhe përfaqëson “Garnizonin e Tiranës” përgjatë këtyre 2 viteve që zgjat edhe shërbimi ushtarak.Po përse zgjodhi atletikën dhe për më tepër në këtë moshë? Në dorëshkrimin e tij personal të cilin e ka trashëguar familja, Hivzi Kotrri shkruan se ia dedikon aktivizimin e tij në sportin e atletikës Myzafer Cenës, i cili zbuloi talentin e tij duke e stërvitur për 2-3 muaj për garat e shpejtësisë 100 metra & 200 metra mes garnizonëve të Shqipërisë ku dha rezultate shumë premtuese: zuri vendin e dytë në garën 200 m (për dy vite rresht).
Hivzi Kotrri gjate nje aktiviteti sportiv dhe nje konsulte me nje trajner bullgar
Ndërkohë në vitin 1954, Hivzi Kotrri rikthehet në qytetin e tij të lindjes, Shkodër, ku përfaqëson Shoqërinë “Puna”. Aktiviteti sportiv i atletit të njohur shkodran, i cili ka vazhduar deri në vitin 1973, ka njohur angazhim dhe rezultate shumë të larta në garat e ndryshme të shpejtësisë 100, 200 & 400 metra, si dhe 200 & 400 metra me pengesa.
Në vitin 1954, Kotrri përfaqësoi Shkodrën duke marrë pjesë në garën kombëtare mes shoqërive “Puna” të Shqipërisë, ku zuri vendin e parë në garën e 100 metrave me rezultatin 11/4 sekonda.
Ky rezultat me vendin e parë dhe vullneti i tij i admirueshëm ishin pikërisht edhe nxitja kryesore që Hivzia të vazhdonte atletikën, ku edhe falë mbështetjes së madhe të trajnerit të tij të nderuar, Feti Dizdari, ai njohu rezultate shumë të larta dhe u shpall disa herë kampion e rekordmen i Shqipërisë në garat 100-200-400 metra si dhe në 200 metra me pengesa.
Hivzi Kotrri- Viti 1955 – Kampion Kombëtar në 100 m
Shpallet kampion edhe në vitin 1955 si dhe më 1956, madje po në këtë vit vendos rekord të ri kombëtar në garën e 200 metrave me pengesa me kohën 25″5. Ky rezultat bëri që ai të nderoj në vitin 1956 me titullin “Mjeshtër Sporti”.
Titulli “Mjeshtër i Sportit” e nxiti edhe më shumë atletin shkodran për të punuar e për të dhënë rezultate akoma më të larta. Vullnetin dhe pasionin e atletit Kotrri, diti ta shfrytëzojë shumë mirë trajneri i tij, Feti Dizdari, i cili ja zgjati karrierën sportive duke e kaluar nga garat e shpejtësisë në ato të gjysëm-thellësisë, tek garat e 400 metrave dhe tek ato 400 metra me pengesa.
Në vitin 1957, ai merr pjesë në “Festivalin e Rinisë Botërore” zhvilluar në Moskë (ish- Bashkimi Sovjetik). Në këtë garë ka përfaqësuar vendin në garën e shpejtësisë të 100 metrave dhe ka dhënë rezultatin 10″8. Në këtë festival, Hivzi Kotrri ishte njëkohësisht pjesë e ekipit kombëtar në stafetën e 4×100 metra, ku Shqipëria zuri vendin e 3-të.
Atleti i njohur shkodran mori pjesë gjithashtu në garën ndërkombëtare të atletikës mbajtur në Bukuresht të Rumanisë, të cilën në dorëshkrimet e tij personale nënvizon nderin që kishte të garonte përkrah rekordmenit botëror amerikan Murchison, si dhe shumë atletëve të tjerë ndërkombëtarë.
Rezultatet më të mira të arritura në sportin e atletikës nga ana e të mirënjohurit Hivzi Kotrri janë:
•10″8 sek në garën e shpejtësisë të 100 metrave;
•22″24 sek në garën e shpejtësisë të 200 metrave;
•52″10 sek në garën e shpejtësisë të 400 metrave;
•23″4 sekonda në garën e 200 metrave me pengesa – rekord kombëtar i cili vazhdon të jetë në fuqi;
•57″2 në garën e 400 metrave me pengesa.
Viti 1962 – Hivzi Kotrri, foto me një rekordmen kinez
Në total, është shpallur tre herë kampion i vendit, si dhe ka thyer tre rekorde kombëtare, çka e bëjnë Hivzi Kotrrin, një nga sportistët më të mirë të Shqipërisë në ato vite. Por karriera sportive nuk do të mbyllej këtu për të.
Profesor Feti Dizdari duke parë aftësitë dhe sjelljet shumë korrekte të Hivzisë në stërvitje dhe në shoqëri, e afroi atë më afër duke i besuar për një kohë të gjatë edhe trajnimin e sprintierëve meshkuj, detyrë të cilën e ka kryer në mënyrë të suksesshme dhe nga duart e të cilit kanë dalë atletë të shquar kampionë e rekordmenë si Rasim Kraja, Enver Dervishi, Isak Bala, Rrok Hila, Pjetër Çefa etj.
Në të njëjtën kohë, Hivzi Kotrri është marrë dhe ka dhënë një konribut të veçantë në përgatitjen e emrave të njohur atlete femra si Nexhmije Bilali, Adile Dani, Mimoza Meta etj.
Hivzi Kotrri është ndarë nga jeta më 17 maj 2008, por duke lënë pas padyshim një emër shumë të nderuar dhe të respektuar jo vetëm në rradhët e kolegëve me të cilët është stërvitur dhe punuar, por edhe tek sportdashësit shkodranë dhe shqiptarë. Një figurë që i ka bërë nder sportit të atletikës.
Gjergj KOLA