Pasditen e nesërme do të zhvillohet Asambleja e Klubit të Futbollit Vllaznia, pikërisht, gjashtë ditë pas dështimit të zhvillimit të saj për shkak të mungesës së numrit të duhur të këshilltarëve. Natyrisht që shpresat janë për plotësimin e numrit të tyre dhe aprovimit të fondit të duhur që do të kalojë për futbollistët të cilët kanë disa muaj pa u paguar.

Një ish-anëtar i Këshillit Bashkiak, Qashif Hoxha, sot përgjegjës administrativ në Akademinë Vllaznia, ka qenë i ftuar mbrëmjen e së hënës në emisionin “Sport Arena” në televizionin Rozafa dhe e ka quajtur papërgjegjshmëri totale të këshilltarëve moszhvillimin e Asamblesë para pak ditëve. “është mungesë totale serioziteti.Unë kam qenë katër mandate anëtar i Këshillit Bashkiak dhe kurrë nuk ka dështuar një mbledhje e rëndësishme kur ka qenë fjala për Vllazninë apo për gjëra të tjera të rëndësishme për qytetin. Nuk di si t’ia vë emrin ndryshe por një papërgjeshmëri shumë e madhe e atyre njerëzve që kanë bërë këto lista, kanë mbush këto lista me njerëz që nuk i përgjigjen përgjegjësive që mban ai post në këtë qytet. Gjithëkush në këtë qytet ankohet dhe vetëm ankohet për Vllazninë por duhet ditur që nuk është shumë e lehtë me administu një skuadër, duke pasë parasysh buxhetet e skuadrave sot në Shqipëri. Ata që kanë marrë mandatin me përfaqësu qytetarët e Shkodrës, me zgjidh problemet e mëdha që ka ky qytet, nuk duhet të hezitojnë kurrsesi të marrin pjesë në një mbledhje. Ata munden me marrë pjesë në mbledhje dhe me votu kundër në qoftë se nuk janë të bindur për atë që votojnë. Por në asnjë mënyrë mbledhja nuk duhet të dështojë dhe nuk është hera e parë që ndodh kjo. Të mos harrojmë se Vllaznia është nën presion total, këto këshilltarë të mos harrojnë se futbollistët kanë katër muaj pa rrogë dhe shumica e tyre mbajnë familjet me ato lekë. Më vjen keq që flas kështu sepse ata janë kolegë të mi por nuk mund ta kapërdij faktin që ata nuk vijnë as në mbledhje. Unë shpresoj që mbledhja të mërkurën do të zhvillohet sepse njerëzit që “i komandojnë” ato, duhet ta marrin situatën në dorë, të shkojnë në mbledhje dhe të zbatojnë detyrën që kanë.
© shkodrasport.com