Arsen Hoxha është kritik për mënyrën se si bën moviola në kampionatin shqiptar pas çdo jave. Ai e njeh vështirësinë e interpretimit të rregullores, por thotë se Lorenc Jemini, Albano Janku, apo edhe dikush tjetër janë duke i marrë në qafë arbitrat, sepse në vend t’u nxjerrin në pah gabimet dhe t’u thonë të vërtetën, ata bëhen avokatë të padobishëm të tyre dhe i nxisin të vazhdojnë të gabojnë.

Është fatkeqësi për futbollin dhe për vetë karrierën e arbitrave kur në vend që të mësojnë të vërtetën mbi drejtësinë profesionale të vendimeve të tyre, me qëllimin e vetëm që ato të bëhen mësim në të ardhmen, të shikojnë moviolistë që në njëfarë mënyre shndërrohen në avokatë të tyre.

Që të gabojë një arbitër, është normale, sepse mundësinë dhe kohën e vendimmarrjes e ka tepër të vogël. Por që të gabojë në mënyrë të përsëritur një moviolist, që mundësinë e ka ta shikojë disa herë një aksion, kjo është e papranueshme.

Sportdashësit dhe të gjithë të interesuarit e tjerë dëshirojnë të dëgjojnë prej tyre diskutimin profesional të rastit dhe jo rrethanat justifikuese në të cilat arbitri mori vendimin e gabuar. Çdo qëndrim ndryshe është abuzim me detyrën që ke marrë përsipër të bësh.
“shkrimi eshte botuar sot ne “Panorama Sport” dhe botohet me shkurtime nga ana jone.