Ardit Hoxhaj është treguar sot përsëri vendimtar për ekipin e Vllaznisë, duke siguruar me një gol me kokë kalimin në finalen e Kupës së Shqipërisë. Një gol i cili sipas sulmuesit ka ardhur falë një skeme të përgatitur në stërvitje. Ai shpjegoi gjithashtu për “SuperSport” se nuk kishte mendjemadhësi për ndeshjen ndaj Skënderbeut, pasi ekipi e vlerësonte shumë rivalin përballë.
“Këtë vit kam shënuar gola me kokë. Që në fillim në stërvitje praktikonim një skemë në shtyllën e pare, trajneri ka parë që kërcej mirë dhe më ka thënë që të sulmoj gjithmonë në shtyllën e parë.
Fazën e tretë do ta përshkruaja si moment që si ekip ramë vetë në presion, mendonim se ishim shpallur kampionë. Ndeshja që na mori për poshtë ishte me Kastriotin se menduam po të fitonim do ishte hap i sigurt drejt titullit. Aty u ndalëm e menduam të rikuperonim sa më shpejt, por na iku situata nga duart. Me 2-3 rezultate negative ekipi humbet besimin. E kur humb besimin ndodh gjithçka. Na ka kthyer Bylisi ndeshje për 5 minuta edhe pse e dominuam ndeshjen.
Skënderbeu në finale? Skënderbeu është ekipi më i mirë nga ekipet deri tani, ka një përbërje cilësore, ka të rinj me dëshirë e ego për të fituar.
Ky është një hap i mirë drejt Europës se kemi edhe finalen. Na bën të luajmë më të qetë ndeshjet në kampionat”, tha Hoxhaj. /vipsport/