Sulmuesi Simeon Hristov që ka firmosur mesditën e sotme për KF Vllaznia, ka thënë edhe fjalët e para si futbollist kuqeblu. Në një prononcim për faqen zyrtare të klubit ai ka deklaruar:

“Jam shumë i lumtur që jam pjesë e Vllaznisë dhe pjesë e familjes së Vllaznisë dhe shoh që gjithçka duket mirë në këtë fillim dhe shpresoj që gjërat të shkojnë mbarë”.

27 vjeçari ka disa ditë që stërvitet me skuadrën dhe i pyetur se cilat kanë qenë përshtypjet e tij të para rreth saj, shprehet:

“Kam konstatuar që në skuadër ka lojtarë shumë të mirë, kushtet janë të mira, po ashtu edhe stafi është i mirë, ndërkohë që me trajnerin Mirsad Jonuz kam një njohje prej vitesh dhe e vlerësoj për vlerat dhe karrierën e tij.

Ai është arsyeja kryesore pse unë jam sot këtu dhe ajo çfarë do të mundohem të bëj unë është që t’ia shpërblej këtë besim që ka shfaqur ndaj meje”.

Vllaznia e gjysmës së parë të sezonit problemin e saj kryesor ka patur sulmin dhe i pyetur në lidhje me këtë çështje dhe a premton golat e munguar për skuadrën kuqeblu, Hristov përgjigjet: “Unë premtoj se do të bëj maksimumin për këtë gjë dhe jam i bindur se gjërat do të shkojnë mirë”.