Është ndarë nga jeta në mënyrë tragjike në moshën 32 vjeçare gjyqtari i futbollit, lezhjani Rigers Pjetrushi. Ai po kthehej nga Gjirokastra ku kishte qenë dje gjyqtar i katërt në ndeshjen Luftëtari- Kastrioti bashkë me tre gjyqtarët e tjerë Edvin Hoxha, Ridiger Çokaj dhe Glodian Vargu, teksa ka rënë viktimë e një aksidenti në të cilin është përfshirë makina me të cilin ata udhëtonin. Aksidenti ka ndodhur në orën 03.30 të natës dhe Pjetrushi ka qenë në rolin e pasagjerit në makinë.
Kujtojmë që Rigersi është djali i ish-gjyqtarit të njohur lezhjan Engjëll Pjetrushi dhe nipi i Prekës, një nga drejtuesit kryesor të gjyqtarëve në FSHF. Humbja e tij sigurisht që është e madhe për familjen. Pikërisht në shenjë respekti ndaj këtij gjyqtari, Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur që të gjitha ndeshjet e planifikuara për t’u luajtur sot, të shtyhen për të mërkurën. Me këtë rast edhe gazeta online shkodrasport.com, i shpreh ngushëllimet familjes Pjetrushi për humbjen e njeriut të tyre të dashur. I përjetshëm qoftë kujtim yt Gersi!
www.shkodrasport.com