Vaterpolistet e Koresë së Jugut e kanë pësuar edhe një tjeter humbje te thelle. Në ndeshjen e dytë, në kuadër të Kampionatit Botëror, ato janë mposhtur nga Rusia me rezultat 1:30. Mirëpo, askush nuk flet për humbjen, pasi ato e shkruan historinë.

Kjo ndeshje do të mbahet mend për faktin që koreanet shënuan golin e parë në historinë e vendit të tyre në kampionatet botërore.

Golin, i cili i ngriti në këmbë të gjithë që ishin në bankinë, e shënoi Kjung Da Seul, ndërsa ai moment dha shumë emocione.

“Ai gol për ne do të thotë gjithçka. Ne jemi fillestare në vaterpolo. Kundër Kanadasë shpresojmë të shënojmë ndonjë gol më tepër”, ka thënë Rin Han Jun, ndërsa Kjung Da Seul ka theksuar që është shumë e lumtur që i është dhuruar topi me të cilin u shënua goli historik.

Koreja Jugore është organizatore e Kampionatit Botëror, në ndeshjen e parë të të cilit u mposht nga Hungaria me rezultat 0:64, ndërsa në ndeshjen e fundit takohet me Kanadanë.