Brazili ka përjetuar një mbrëmje të hidhur në Argjentinë. Verdheblutë janë mposhtur me shifrat e thella 4-1 nga rivali i tyre më i madh. Viniciusi Xhuniori, i cili pati edhe disa momente tensioni me lojtarët kundërshtarë, u shfaq më i kthjellët përpara gazetarëve.
Sulmuesi i Realit të Madridit i dha meritat Argjentinës për lojën e zhvilluar, por nga ana tjetër ngriti shqetësimin për nivelin e shfaqur nga Kombëtarja e tij.
“Luajtëm shumë keq dhe Argjentina luajti një ndeshje të shkëlqyer përpara tifozëve të vetë. Duhet të rimendojmë gjithçka që bëmë… kjo gjë nuk mund të ndodhë.
Duhet të përmirësohemi dhe të mos heqim dorë. Ka mbetur vetëm 1 vit nga fillimi i Kupës së Botës”, ka deklaruar Vinicius Xhuniori./Sport Ekspres/