Humbja ndaj Kukësit, thuajse ka venitur shpresat e Vllaznisë për ta fituar titullin këtë sezon. Edhe pse matematikisht çdo gjë mbetet e hapur, në Shkodër pranojnë në heshtje se së pari duhet të sigurojnë Europën përmes kampionatit.

Mirëpo, kanë mbetur vetëm 4 javë dhe kalendari nuk është se favorizon shkodranët, pasi ata do të luajnë ndaj dy ekipeve që luftojnë për titull si Partizani dhe Laçi, e gjithashtu skuadrave që duan të mbijetojnë, pikërisht Bylisi dhe Kastriotit. Të enjten skuadra kuqeblu ka një transfertë delikate në Ballsh, në orën 16:00.

Një tjetër hap fals do ta vështirësonte edhe më shumë synimin minimal: Europën. Megjithatë, trajneri Tomas Brdariç është munduar që dy ditët e fundit të punojë më tepër me ekipin nga ana psikologjike.

Shqetësimi i vetëm është braziliani Da Silva, i cili ka pasur probleme të vazhdueshme në gju dhe pritet të mungojë.