Dinamo humbi dje 6-3 me Vllazninë në “Loro Boriçi”. Sfida e javës së pestë në Superligë prodhoi nëntë gola, me duelin që ka hyrë tanimë në historinë e elitës shqiptare në vitet e fundit, që ka njohur një rezultat të tillë.
Zhgënjimi ka qenë i madh për Blutë, që pas nëntë sezonesh luajnë në elitën e vendit. Në lidhje me situatën, kanë reaguar edhe Blue Boys, tifo-utrasit e skuadrës. Sipas tyre ekipi ka një tjetër fytyrë, ndërsa kujtojnë skuadrën e përpara disa viteve, kur luteshin mos binin nga kategoria.
“Askujt nuk i pëlqejnë humbjet, sidomos kur vijnë me rezultat si ai i mbrëmjes së djeshme!
Çdokush nga ne mund të ketë vërejtjet dhe kritikat e tij ndaj skuadrës apo individëve, por duhet të shohim se sa shumë punë është bërë në fare pak kohë.
Skuadra që për 9 vite me rradhë luteshim mos të binte nga kategoria, sot është një realitet i bukur i cili po ecën me hapa të shpejt drejt ringritjes dhe gjithashtu është një faktor i rëndësishëm dhe një stof i rëndë në Kategorinë Superiore!
Kampionati sapo ka filluar dhe një rrugë e gjatë na pret përpara. Në fund, të gjithë do të japin llogari për punën e tyre, qoftë e mirë apo e keqe.
Detyra jonë si tifozë është të mbështesim skuadrën në stadium dhe mos harrojmë se ata çuna në fushë kanë nevojë për ne!
Koha të shikojmë përpara, na pret transferta e Korçës, një sfidë që shumë e kemi pritur dhe sigurisht që do jemi aty përkrah skuadrës Blu”, shkruajnë tifozët./newsport/