Vllaznia mori një humbje shokuese në javën e fundit të Superligës. Shkodranët morën një disfatë kundër Egnatias ditën e shtunë në shifrat 3-0. Një humbje që komplikon shumë pozitat e kuqebluve në renditje, ku tashmë edhe zona e Europës rrezikohet. Ndryshimi i trajnerit nuk është se solli ndonjë ndryshim humori tek ekipi.

Skuadra duket më e pamotivuar se asnjëherë dhe tashmë pretendimet e fillim sezonit janë një kujtim i largët. Kishte disa vite që Vllaznia nuk humbiste në këto shifra e sidomos kundër një skuadre si Egantia, me gjithë respektin për rrogozhinasit. Duket se kjo periudhë pushimi vjen në momentin më të duhur për Vllazninë.

Ekipi duhet të reflektojë dhe me rikthimin e kampionatit duhet që ta ketë këmbën në gaz deri në fund të tij. Duhet thënë se edhe pavarësisht se Vllaznia ka pësuar dy humbje në dy ndeshjet e fundit në kampionat, kundërshtarët nuk kanë përfituar në maksimum. Kështu Kukësi dje u ndal në një barazim 1-1 ndaj Skënderbeut.

E ndërsa Laçi u mund nga Teuta 0-1 brenda në shtëpinë e vet. Kuksianët në vendin e tretë të renditjes janë 4 pikë sipër Vllaznisë e laçianët janë 7 pikë para shkodranëve.

Diferenca nuk është aspak e pa rikuperueshme, por ekipi duhet të rikthehet me një mentalitet tjetër pas rikthimit nga pushimi i kampionatit. Kjo për të bërë një mbyllje sa më të mirë të sezonit dhe ekipi të arrijë minimalisht zonë e Europës.
Endri ÇINARI