Samuel Nikaj e ka me vetëkënaqësinë dhe gjykimin pas humbjes ndaj Dinamos. Trajneri i Burrelit pretendon se lojtarët e morën ndoshta më lehtë sesa duhej, por u frenuan nga gjykimi në “Selman Stërmasi”.
“Vinim në këtë takim me moral të lartë, por me sa duket, ndikoi në një formë vetëkënaqësia. E dyta, menaxhimi nga ana e arbitrit na frenoi që në fillim. Sikurse dihet, ne e kemi përgatitur ekipin tonë me frymën e optimizmit. Jemi një ekip vrulli e dëshire për të luajtur me bazë luftën e fortë sportive, por gjykimi nuk na lejoi dhe na frenoi që në fillim me dy kartonë të shpejtë të verdhë.
Për sa i përket ecurisë së mëtejshme, ne ia falëm dy golat Dinamos. Ata nuk erdhën për meritë të tyre. Kundërshtari i shfrytëzoi këto gabime të mbrojtjes sonë. Shoh që presioni për vendin e parë ndihet e kjo ka ndikuar te disa lojtarë. Mund të them se kjo luftë do të vazhdojë deri në fund.
Humbja nuk na ul moralin dhe forcën tonë për të vazhduar pretendimet. E nisëm kampionatin thjesht për të qenë në 4-shen e parë. Tashmë ky objektiv u realizua. Lufta do të jetë e bukur mes tri ekipeve: Dinamo, ne dhe Korabi. Kam besim te djemtë e mi, pasi kemi ndërtuar një skuadër të aftë për të qenë në Superiore”, tha shkodrani pas ndeshjes.